Fierza rritet me 25 cm
Reshjet
Reshjet e ditëve të fundit rikthejnë frikën e përmbytjeve në Veri për shkak të rritjes së nivelit të lumenjve në hidrocentralet kryesore. Reshjet e shiut dhe dëborës kanë vendosur në gatishmëri grupet e punës të KESH-it dhe Ministrisë së Energjetikës, për ta menaxhuar më mirë situatën. Të dhënat e fundit nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, në Fierzë niveli i liqenit po rritet, me rreth 25 centimetra në ditë teksa aktualisht e ka kaluar nivelin e 187 metrave. Për drejtorin e KESH, Muharem Stojku, situata është nën kontroll dhe një hapje e mundshme e portave të shkarkimit mund të merret në konsideratë vetëm pas 10 apo 14 ditëve të ardhshme nëse dhe prurjet do të vazhdojnë me këtë intensitet. "KESH po vijon të prodhojë maksimumin e mundshëm të energjisë, pa vënë në rrezik sistemin, rreth 25 milionë kilovat/orë në ditë, ndërkohë që përveç furnizimit të vendit edhe po eksportohet”, tha dje kreu i korporatës. Pak ditë më parë, KESH mbylli kontratat me disa shoqëri importi të energjisë, për shitjen e rreth 200 milionë kilovat. Nëse vijohet me këto ritme, KESH edhe mund t’i dyfishojë fitimet.
#