Zhvlerësimi i lekut, shtohen kërkesat për ndërhyrje
Kursi
Leku shqiptar fitoi 13 qindarka kundrejt euros, ndërsa humbi 35 qindarka kundrejt dollarit amerikan gjatë ditës së djeshme, ndërkohë që kursi mesatar i tregut ndërbankar iu përafrua atij të tregut me pakicë. Shoqata të ndryshme biznesi hodhën për ditën e dytë radhazi thirrje për ndërhyrje nga ana e Bankës së Shqipërisë. Sipas kursit fiks që publikohet nga BSH-ja në mesditë, një euro kushtoi dje 138.95 lekë, ndërsa një dollar kushtoi 99.95 lekë. Kjo është kuota më e lartë e shënuar për dollarin që nga prilli i vitit 2009. Gjatë pasdrekes së djeshme, pozicioni i lekut duket se u përkeqësua për shkak se në tregun ndërbankar euro kushtoi deri në 139.014 lekë, ndërkohë që gjatë ditëve të fundit, ishte kuotuar në rreth 138.2 – 138.5 lekë. Monedhën shqiptare nuk e ndihmoi dot këtë të hënë as ankandi i pritshëm i bonove të thesarit. Zakonisht në ditët para ankandit të bonove, bankat grumbullojnë lekë në përgatitje për të blerë borxhin e qeverisë, gjë që shkakton forcim të lehtë të lekut. Sekretari i përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, përsëriti edhe një herë dje kërkesën që Banka e Shqipërisë të ndërhyjë. Kjo e fundit nuk ka kryer shitje valute në treg që nga fillimi i qershorit të kaluar. Leku vlen sot kundrejt euros 13.2 për qind më pak se sa viti 2008, kur filloi edhe kriza. Kundrejt dollarit, leku ka humbur rreth 11 për qind. Gjatë muajve të ardhshëm pritet që zhvlerësimi i lekut të pasqyrohet plotësisht te çmimet e konsumit. Sipas një analize të Bankës së Shqipërisë, luhatjet e kursit pasqyrohen në çmime tërësisht brenda nëntë muajve.
#