E Diel, 1 Nëntor 2026

Misteri i “Kaspar Hauser”, dramë muzikore në TKOB

TIRANË- Drama muzikore “Kaspar Hauser” do të interpetohet pas pak ditësh në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, për të sjellë me nota muzikore një enigmë dhe një mister historik që ende ngjall diskutime.

Libreti i shfaqjes është shkruar nga Noemi Ghetti dhe është frymëzuar nga libri i Anselm von Feuerbach. I ftuar kryesor në shfaqje është tenori italian, Quirino Principe, ndërsa në role të tjera do të interpetojnë solistët: Erlind Zeraliu, Rezarta Qevani, Ilira Milla, Aldo Spahiu, Adriana Kamberi, Juna Resuli, Blerina Braka, Roel Llupa, Denis Skura, Genz Vozga, Ogert Islami etj.

Vepra do të shfaqet në TKOB në datat 20, 22, 23 qershor, ora 19:00 dhe vjen si realizim nga fituesit e fondit publik të të rinjve. Muzika mban firmën e Franceso Venerucci, ndërsa dirigjent do të jetë, Zhani Ciko. Regjia e shfaqjes është realizuar nga Ada Gurra Ferizoviqi, ndërsa skena dhe kostumet nga Alessandra Boffelli Serbolisca.

“Kaspar Hauser” është historia e një të riu, i cili nuk ka pasur më parë asnjë kontakt njerëzor dhe një ditë shfaqet nga hiçi me sjellje të veçantë. Fenomen i pakundërshtueshëm ndaj mitit të kafshës së zbutur, Kaspar Hauser demonstron kapacitet jashtë të zakonshmes dhe një spontanitet dhe integritet njerëzor krejt iracional. Inteligjenca e tij e papërpunuar do të demaskojë kryqëzimin e butë mes rregullave borgjeze dhe doktrinave teologjike dhe logjiko – filozofike të kohës.

Enigma dhe misteri i historisë është subjekt i veprave letrare, teatrore dhe kinematografike deri në ditët e sotme. Kjo është shfaqja e rradhës e TKOB-së, për këtë sezon, dhe sipas burimeve zyrtare ajo nuk do të jetë e fundit.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›