"Si mund të japësh garanci për antikorrupsionin?"
Policët Tatimorë janë bërë uniformat më të padëshirueshme në oborret e bizneseve, madje, besoj do t'ua marrin për nga fama e konfliktit edhe Policisë së Rendit apo asaj Rrugore. Policët tatimorë tani kanë një të drejtë që tejkalon edhe të drejtat e gjykatave, pra ata mund të vendosin shifra në faturë, të cilat mund të shkaktojnë edhe falimentimin e bizneseve (sidomos ato të vogla, sepse ose do paguash dhe do falimentosh, ose do ta mbyllësh dhe prapë do falimentosh). E si mund të ketë një polic i thjeshtë këtë të drejtë? Po kush e ndalon atë t'i dërgojë llaf biznesmenit: Do 100 mijë Euro gjobë për Salën, apo 10 mijë Euro gjobë për Lalën (që është ai vetë)?! Berisha tha në një takim me ndërtuesit, para ca javësh, që "zotohem që policët tatimorë nuk do abuzojnë!". Eh, mor zoti Kryeministër, po a e njeh realitetin shqiptar ti dhe a i njeh standardet profesionale të këtyre njerëzve? Po në Shqipëri korruptohen njerëz me nga tre diploma, e jo më njerëz pa shkollë, që vijnë nga listat e selive të partisë! Dhe tjetra, sa herë ke thënë "zotohem" t'i zoti Kryeministër dhe zotimet i ka marrë era?!