Përkujtohet regjisori i animacionit Boris Ikonomi
Regjisori i animacionit shqiptar Boris Ikonomi, në 53- vjetorin e lindjes u përkujtua me një aktivitet, që u zhvillua në mjediset e kinemasë Millenium. Në këtë ceremoni që u zhvillua pikërisht në ditëlindjen e regjisorit morën pjesë regjisorë, skenaristë, piktorë dhe të afërm të regjisorit. Në një letër që familja e tij kishte dërguar për këtë aktivitet tregohej se ai gjithmonë nuk kishte reshtur së foluri për shokët, miqtë dhe kolegët në Shqipëri. Shokët dhe miqtë e tij ishin gjithmonë të pranishëm në bisedat e tij. Ai edhe pse ishte me nënshtetësi kanadeze, jetoi dhe punoi si shqiptar, shkruhej në letër.
Në këtë aktivitet u shfaqën në një orë, 7 nga 11 filmat që mbajnë emrin e tij. Aktiviteti u organizua nga familjarët e Ikonomit, së bashku me Shoqatën e Animacionit Shqiptar. Nga miqtë, dhe shokët e tij ai kujtohet si një njeri, i cili dha një kontribut të çmuar në animacionin shqiptar. Kolegët e tij tregojnë se koncepti i tij artistik për filmin e animuar, qëndronte larg kërkesave të kohës, jashtë kornizave moralizuese. Filmi për të si një vepër arti, duhej ndjerë. Kërkesat e vazhdueshme që, nga filmi në film të kishte ndryshim ishin si domosdoshmëri krijuese për regjisorin. Personazhet e Borisit ishin pjesë e tij, kanë marrë jetë nga shpirti dhe talenti i këtij njeriu. Regjisori Boris Ikonomi pati fatin të ishte bashkudhëtar i fillesave të gjinisë së animacionit në Shqipëri, ku menjëherë pas studimeve në Institutin e Arteve filloi punë në Studion e Animacionit. Në një kohë tepër të shpejtë, që me filmat e parë tregoi aftësitë e tij të përkryera vullnetin dhe talentin, origjinalitetin artistik e krijues. Nga viti 1979, kur filloi punë në Kinostudio, deri më 1992, krijoi 11 filma, (tre me bashkëautor), duke marrë përsipër të përçojë mesazhe të dobishme, kombëtare e universale, dhe duke shmangur tërësisht temat politike. Agroni dhe nafta, Puna është flori, Zemërimi i shkronjave, Ilira, Nevoja të ndihmon, Zëri i gjakut, zëri i tokës, Merimanga dhe brumbulli, Dy vëllezërit dhe ujku, Mëndja, mëndje, Kopshtari, Maratona e lavdisë, janë filma që mbeten akoma.
Filmat e tij do të mbeten në historinë e artë të kinemasë së animacionit për vlerat që sollën me aplikimet teknike ku përherë ai ishte kërkues i të resë prej ku shumëkush mësoi.I lindur në Tiranë më 16 prill 1956 artisti i filmit të animuar u nda nga jeta më 15 nëntor 2008, në moshën 52 vjeçare.
Last Updated on Friday, 17 April 2009 03:20
Filmat e tij do të mbeten në historinë e artë të kinemasë së animacionit për vlerat që sollën me aplikimet teknike ku përherë ai ishte kërkues i të resë prej ku shumëkush mësoi.I lindur në Tiranë më 16 prill 1956 artisti i filmit të animuar u nda nga jeta më 15 nëntor 2008, në moshën 52 vjeçare.
Last Updated on Friday, 17 April 2009 03:20