Mitchell “shkëmben idetë” me Netanyahun
I dërguari i SHBA-së në Lindjen e Mesme, George Mitchell, ka shkëmbyer sot idetë me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahun, në lidhje me ringjalljen e negociatave paqësore me palestinezët.
“Kam dëgjuar disa ide interesante me qëllim të ringjalljes së procesit paqësor”, tha Netanyahu gjatë takimit të kabinetit të tij, pas takimit që zhvilloi me Mitchellin.
“Kam shprehur shpresën se idetë e reja do të rezultojnë me ringjalljen e procesit paqësor, nëse edhe vetë palestinezët dëshmojnë një interesim të ngjashëm”, shtoi ai, pa ofruar detaje më të hollësishme.
Mitchell dje në Amman u takua edhe me presidentin palestinez, Mahmoud Abass.
SHBA-ja ka tashmë disa muaj që po përpiqet të bindë dy palët që të kthehen në tavolinën e negociatave, por palestinezët kanë refuzuar ta bëjnë këtë, përderisa Izraeli të mos ndalë aktivitetet nëpër koloni në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, territore këto të cilat Izraeli i ka okupuar në vitin 1967.