Miliband: Rreziku nga Al Qaida është real
Përpjekja e fundit për të hedhur në ajër një aeroplan amerikan shënon “fazën e re” të fushatës së Al Qaidës kundër Perëndimit, deklaroi sot Ministri i Jashtëm i Britanisë, David Miliband, para Konferencës që do të zhvillohet këtë javë në Londër, në të cilën do të diskutohet për situatën në Afganistan dhe Jemen.
Miliband gjithashtu tërhoqi vërejtjen se ekziston një rrezik real nga ekstremistët e dhunshëm, të cilët nuk ndalën para asgjëje, pasi që Britania ngriti nivelin e alarmit.
Këto komente ai i bëri para takimit, i cili do të zhvillohet të mërkurën, në të cilin do të bisedohet për Jemen në të cilin do të marrin pjesë ministra dhe zyrtarë nga 21 shtete të botës, takim ky i cili u ftua pas sulmit të dështuar kundër një aeroplani amerikan në Detroit.
Sulmuesi nga Nigeria besohet se është trajnuar në Jemen. Pas takimit të së mërkurës, të enjten do të zhvillohet takimi i dytë në nivel më të lartë, në të cilin do të marrin pjesë zyrtarë nga 68 shtete, përfshirë këtu edhe presidentin e Afganistanit, Hamid Karzain dhe Sekretaren amerikane të shtetit, Hillary Clinton.
“Zemra dhe kryesuesit e Al Qaidës mbesin në brezin kufitar mes Pakistanit dhe Afganistanit. Por kemi një problem të vërtetë edhe në Jemen. Fakti se Al Qaida në Gadishullin e Arabisë ka tentuar të ndërmarrë sulm në Detroit, shënon një fazë të re në fushatën kundër Perëndimit dhe për këtë arsye është i rëndësishëm takimi që do të zhvillohet për Jemenin”, deklaroi Miliband.