E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miti i Rozafë-mbytjes dhe kompleksi i qeverisë



Albert Gjoka

Shkodranët, gjatë këtij viti kanë provuar si asnjëherë tjetër mallkimin e kompleksit të Rozafës, miti që e lindën dhe e trashëguan brez pas brezi; atë mit mallkues që shkodranët ndërtojnë ditën dhe iu prishet puna natën. Kështu ka ndodhur edhe këta 11 muaj; janë përmbytur dhe sapo kanë shpëtuar prej ujit dhe kanë nisur që të riparojnë dëmet e shkaktuara, janë përmbytur sërish e sërish. Tri herë për një vit nuk janë pak, pasi dëmet financiare janë mbi 100 milionë dollarë. Banorët e atyre trevave nuk kanë arsye pse të mos besojnë se do të përmbyten sërish deri në fund të këtij viti, vitin tjetër dhe gjithë jetën.
Leksioni i hidhur i janarit të 2010-ës nuk i shërbeu qeverisë dhe as institucioneve aspak për të nxënë, pasi titullarëve të tyre nuk iu lagen “ato” këtu në Tiranë. Të paktën një rezolutë e Kuvendit dhe katër vendime qeverie janë dokumente të harruara sot, janë para të shkuara dëm dhe është shenja më e keqe se si nuk zbatohen ligjet dhe vendimet që kanë të bëjnë me mirëqenien dhe sigurinë e qytetarëve të këtij vendi.
Por, në këto ditë, kur Shkodra është e mbuluar nga uji, kur gruas i humb fëmija në muajin e tretë të shtatzënisë për shkak të kushteve përmbytëse, kur fshatarëve iu humbën të mbjellat, kur jeta e banorëve është ende në rrezik për shkak të të papriturave që mund të sjellë e nesërmja, fjalët nuk kanë vend. Përkundër kësaj, - edhe sjelljet e mbrëmshme në Kuvend, ku në gojën e kryeministrit, nga foltorja e Kuvendit, nuk ishte Shkodra-reale dhe shtrirja e dorës për të gjitha institucionet dhe forcat politike për t’iu bashkuar përpjekjeve për kapërcimin e situatës, - ishte pjesa e përmbytjes morale dhe qytetare e politikës dhe qeverisë, ku partitë janë në pushtet dhe qytetarët ndodhen të përmbytur në opozitën mjeruese.
Të kaluarat e hidhura në Shkodër kanë treguar dhe bërtasin edhe sot e kësaj dite se duhet realisht që të merren masa urgjente: Do të duhet të rishikohet me urgjencë buxheti i shtetit për vitin 2011 dhe të planifikohet një zë i veçantë për investimet në atë zonë; të përfundojë një studim i detajuar për shmangien e tragjedive të tilla dhe të nisë menjëherë zbatimi i tij. Një punë e tillë kërkon orientimin dhe planifikimin strategjik të buxhetit, i cili do të duhet të shkojë në Shkodër përpara se të merret vendimi për harxhimin e miliona e miliona eurove për ndërtimin e tunelit të radhës, ashtu siç e ka parashikuar qeveria; të mbyllen marrëveshjet me vendet fqinje; si Mali i Zi Maqedonia dhe Kosova për regjimin e ujërave; të bllokohet legalizimi i objekteve që cenojnë sistemin e argjinaturave dhe sistemeve shkarkuese të ujërave në zonën e Nën-Shkodrës; të reformohet rrënjësisht Shërbimi Meteorologjik në të gjithë vendin dhe të ngrihen stacionet e matjes së reshjeve në të gjitha zonat që lidhen me prurjet ujore në pellgmledhësin e Shkodrës. Ky investim duhet bërë nga paratë e buxhetit të shtetit, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të dimë rrezikun që na kanoset dhe të ketë kohë për të marrë masa. Këto dhe shumë gjëra të tjera i dinë më mirë se askush tjetër ata që e kaluan natën nën ujë.
Mallkimi që ka zënë pafajësisht Shkodrën dhe qytetarët e saj nuk vjen nga miti, por nga kompleksi që ka qeveria dhe qeverisja e tyre. Shkodranët e përmbytur e kuptojnë shumë mirë sot se kush ua vjedh natën mundin dhe djersën e gjakut të punës që ata bëjnë ditën.

3 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›