Të rinjtë fushatë kundër deputetes Albana Vokshi
PRIZREN - Një grup të rinjsh nga Prizreni kanë shpërndarë fletushka në mbështetje për policët e pezulluar, pas incidentit me deputeten e Shqipërisë, Albana Vokshi. Sipas të përditshmes kosovare, Express, ata kërkojnë kthimin e policëve në punë. Nëse kjo nuk ndodh, të rinjtë prizrenas paralajmërojnë protesta. Sipas gazetës, mbrëmjen e dy ditëve më parë, 1400 fletushka u shpërndanë kudo nëpër Prizren. Ato u vendosën kudo. Nëpër dyer të shtëpive, hyrje të banesave dhe makina të qytetarëve të Prizrenit. “Nëse është krim ta mbrojmë ligjin, atëherë të gjithë jemi kriminelë”, është motoja e kësaj mbështetjeje, që të rinjtë prizrenas po u japin policëve të suspenduar. Kjo parullë është hijezuar me ngjyrat kuq dhe zi, por më të zbehta se zakonisht. Kjo, sipas një të riu nga ky qytet, është bërë me qëllim që t’u bëhet e qartë qytetarëve se deputetja Vokshi me sjelljen e saj në kufi i ka zbehur këto ngjyra.
DEKLARATAT
“Shqiptarët e Kosovës i duan me shpirt ato ngjyra, ne kemi dashur që mos t’i theksojmë ngjyrën kuq e zi sepse me rastin e fundit janë zbehur”, thotë i riu nga Prizreni. Në fletushkë është cituar edhe deklarata e Albana Vokshit, me anë të së cilës ajo ka fyer policin kufitar Bujar Shala duke i thënë “ti je kafshë”. “Ju jeni kafshë dhe silleni si kafshë. Do shihemi sepse ti mendon se t’ia kalosh lehtë me mua. Ti qenke kafshë, ju jeni mësuar me serbët, ndaj silleni në këtë mënyrë...”, citohet deklarata e Vokshit në fletushkë. Por, të rinjtë, edhe pse të irrituar nga kjo sjellje e më shumë nga vendimi i dy kryeministrave, të Kosovës dhe Shqipërisë, thonë se ata do të sillen në mënyrë të kulturuar. “Me këtë formë të përkrahjes ne tregojmë se kemi kulturë qytetare”, citon një prej të rinjve, Express. A i paralajmëron se pas kësaj do të ketë edhe përkrahje tjera e që, sipas tij, ka mundësi të ketë protesta. Këta të rinj kërkojnë që policët e suspenduar menjëherë të kthehen në punë.
KËSHILLI
Por, nuk janë vetëm të rinjtë prizrenas që mbështesin policët e Kosovës tashmë të pezulluar. Një ditë më parë, publikisht, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ). Ky Këshilli njoftoi se e ka studiuar rastin e deputetes së Shqipërisë, Albana Vokshi dhe në këtë rast kanë konstatuar se policët e Kosovës kanë vepruar krejtësisht në përputhje me ligjin dhe se ata janë fyer rëndë nga deputetja Vokshi. Pezullimi i katër policëve në kufi, Bujar Shala, polic kufitar, Azem Mala, përgjegjës për rajonin kufitar me Shqipërinë, Qemal Kroni, komandant i pikës kufitare në Vërmicë dhe Sylejman Hoxha, u bë pas një incidenti me deputeten shqiptare Albana Vokshi. Policët në pikën kufitare në Vërmicë kanë ndaluar deputeten e Kuvendit të Shqipërisë Albana Vokshi. Pas këtij incidenti Gjykata e Prizrenit kishte dënuar me 250 euro deputeten në fjalë, vendim i cili u tërhoq më vonë dhe dyshohet se është bërë pas ndërhyrjes së kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Shqipërisë Sali Berisha.
Korrupsioni në administratën
e lartë publike në Shqipëri
Nga Ani RUCI*
TIRANË - Korrupsioni në administratën e lartë publike mbetet një nga fenomenet më të kritikuara në raportin e fundit të Komisionit Europian lidhur me progresin demokratik të Shqipërisë. Çdo vit zyrtarët e lartë duke filluar nga Presidenti i Republikës, Kryeministri, Kryetarja e Parlamentit dhe vazhduar më tej me ministra, deputetë, kryetarë bashkish, etj kanë detyrimin ligjor të deklarojnë të ardhurat dhe pasuritë e tyre, në respekt të ligjit për konflikt interesi. Deklarimet bëhen në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, një institucion ky i pavarur, i ngritur në vitin 2003, për të luftuar korrupsionin. “Detyrimin për deklarim të interesave private e kanë rreth 4500 zyrtarë të lartë, kryesisht ata që janë në pozicione të larta vendimmarrëse, pasi detyra e tyre mund të bëhët bazë për abuzim me pushtetin dhe përfitim të paligjshëm të të ardhurave” thotë për DW, Adriatik Llalla, kryeinspektori në këtë institucion.
KONVENTA
Deklarimet më pas kontrollohen përmes të dhënave që inspektorët e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive mbledhin në Banka, në Hipotekë, në Zyrën Kombëtare të Regjistrimit të bizneseve, në terren apo edhe nga informacionet e qytetarëve. Por ka edhe një rrugë tjetër për të verifikuar tëe ardhurat dhe pasuritë e zyrtarëve të lartë të administratës publike: kontrolli i llogarive në bankat që ndodhen jashtë territorit të Shqipërisë. Këtu Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive i vjen në ndihmë Konventa Ndërkombëtare për Parandalimin e Korrupsionit, ku Shqipëria është palë, si edhe bashkëpunimi me strukturat homologe në vendet e BE dhe më gjerë. “Institucioni ynë ka kërkuar të dhëna lidhur me verifikimin e llogarive bankare jashtë territorit të Shqipërisë, në ato raste kur kemi patur dyshime se të ardhurat e zyrtarëve të lartë mund të fshihen në llogari bankare jashtë Shqipërisë. Për këtë vit janë kryer verifikime që i shërbejnë hetimeve që janë në proces”, thotë kryeinspektori Adriatik llalla.
ASNJË I DËNUAR
Puna e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive nuk është lehtë. Nga njëra anë një personel i pakët prej 10 inspektorësh dhe nga ana tjetër egzistenca në nivel të lartë e ekonomisë informale. Megjithatë verifikimi se 50 zyrtarë të lartë dhe 200 të tjerë kanë bërë deklarime të rreme të pasurive janë shifra të konsiderueshme. Ligji për ta parashikon gjobë, masa disiplinore dhe administrative që shkojnëderi në 3 vjet heqje lirie. Por kjo në 7 vitet e funksionimi të këtij inspektoriati nuk ka ndodhur. “Organet e ndjekjes penale dhe ato të drejtësisë nuk kanë vullnetin e duhur për zbatimin me korrektësi të ligjit. Gjykatat japin dënime në nivel minimal. Nuk shohim vullnetin e këtyre organeve për të ndëshkuar elementët korruptivë në rradhët e administratëss publike. Në asnjë nga rastet që në kemi bërë kallëzim penal për zyrtarë të lartë, institucionet e Drejtësisë nuk kanë dhënë dënime me burgim gjë që përbën një problem tepër shqetësues për ne, edhe pse rastet kanë qënë për pasuri të fshehura apo të krijuara në mënyrë të kundraligjshme në shifra që kalojnë edhe 1 milion euro. Është mungesë vullneti nëse nuk ka edhe interesa të tjera brenda. Por kjo situatë krijon dyshime se ka”, thotë për DW, Adriatik Llalla.
*Marrë nga Dojçe Velle
Mungojnë ligjet përkatse për reformimin e sistemit të drejtësisë
TIRANË - Vazhdimi i reformimit të sistemit të drejtësisë është bllokuar për shkak të pamundësisë së miratimi të ligjeve përkatëse, të cilat kërkojnë një votë të cilësuar, gjë që nuk arrihet për shkak të mosvotimit të opozitës, që e kushtëzon votën e saj me transparencën e zgjedhjeve të kaluara parlamentare. Kjo situatë ka sjellë edhe një inflacion të jashtëzakonshëm akuzash të ndërsjellta mes përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës për përfitime të paligjshme, të konvertuara në prona dhe llogari bankare. Por asnjë nga ministrat, deputetët apo të zgjedhurit e pushtetit lokal, thotë Kryeinspektori Adriatik Llalla nuk ka trokitur në mënyrë vullnetare në derën e tij për të përgënjeshtruar akuzat, quajtur ato shpifje dhe çuar ne organet e drejtësisë personat përkatës.
Ndjekje penale për zyrtarë të lartë që kanë bërë kallëzim të rremë
TIRANË - "Nga ky verifikim dhe kontroll i deklarimit të pasurisë dhe të ardhurave të zyrtarëve të lartë për këtë vit rezulton se mjaft prej tyre kanë shkelur ligjin. ”Nga fillimi i vitit dhe deri tani kemi konstatuar se kanë shkelur ligjin rreth 50 zyrtarë të lartë kanë bërë deklarime të pavërteta , për 18 syresh kemi bërë kallzim per ndjekje penale. Këta janë deputetë, ish ministra, prokurorë, të zgjedhur vendorë etj. Deklarime të rreme kanë bërë edhe 200 zyrtarë të niveleve më të ulta në administratën publike.” thotë kryeinspektori Adriatik Lalla.
1 Dhjetor 2010