E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasen me autobusin, vdes gruaja

 

TEPELENE/ PIRO NASE

Aksident i rëndë ndodhi dje në aksin Tepelenë– Mallakastër. Një grua 43 vjeçe humbi jetën ndërsa tre të tjerë, ndër të cilët edhe bashkëshorti i viktimës, janë në gjendje kritike për jetën në spitalin e Gjirokastrës.
Ngjarja tragjike ndodhi për shkak të përplasjes së dy mjeteve, një “Benz”-i që po udhëtonte në drejtim të kryeqytetit dhe autobusit të linjës Tiranë–Gjirokastër. Policia bëri të ditur se viktima është shtetësja Donika Zaimi, ndërsa të plagosurit janë Belul Zaimi, i cili ishte edhe drejtuesi i autoveturës, si dhe dy pasagjerët e tij, Gramoz e Pranvera Elmazi.
Policia konfirmoi se ngjarja ndodhi rreth orës 15:20 të së dielës, kur automjeti Mercedez Benz, me targa TR 5153 F, i cili drejtohej nga Belul Zaimi, është përplasur me autobusin e linjës së udhëtarëve Tiranë–Gjirokastër, tek Ura e Bënçës në të dalë të qytetit të Tepelenës. Përplasja ka shkaktuar fillimisht plagosjen e katër personave, të afërm me njëri-tjetrin. Policia mbërriti në vend dhe transportoi me urgjencë të lënduarit, por Donika Zaimi, nuk mundi t’iu shpëtonte plagëve dhe vdiq gjatë rrugës për në spital. Ndërsa bashkëshorti i saj, Belul Zaimi si dhe Gramoz e Pranvera Elmazi u çuan në spitalin e Tepelenës dhe pas ndihmës së parë, dhënë atje, u dërguan për në spitalin e Gjirokastrës për një trajtim më të specializuar. Për fat të mirë, ndonëse autobusi ishte plot me pasagjerë, asnjëri prej tyre nuk është lënduar. Ata përjetuan veçse tmerr dhe panik në momentin e përplasjes. Drejtuesi i autobusit ka mundur të manovrojë shpejt dhe ka dalë nga rruga duke tentuar që të shmangë edhe aksidentin. Kjo është dëshmuar nga vetë pasagjerët në polici. Sipas tyre, “Benz”-i është përplasur me forcë në drejtim të mjetit transportues të udhëtarëve. Policia bëri të ditur se ngjarja dyshohet të ketë ndodhur edhe si pasojë e terrenit rrëshqitës. Ndërkohë grupi hetimor ka kryer veprimet e para dhe nga dëshmitë e marra në vendngjarje ka rezultuar se shkaku i aksidentit ishte humbja e kontrollit të drejtuesit të autoveturës. Viktima e djeshme e çon në 12 numrin e personave që kanë humbur jetën në aksin jugor Kakavijë-Memaliaj gjatë këtij viti.

VIKTIMAT

E vdekur
Donika Zaimi

Të plagosur
Belul Zaimi
Gramoz Elmazi
Pranvera Elmazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›