E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berluskoni: Nuk do ta shes vilën Certosa

 

Kryeministri italian, Silvio Berluskoni është revoltuar sërish me titujt e gazetave, të cilat i referohen problemeve të jetës së tij private, duke i cilësuar gënjeshtra komentet e tyre. Kështu kryeministri ka përgënjeshtruar lajmin mbi shitjen e vilës së tij në Sardenja, e cila njihet si vila e festave. “Nuk e shes vilën Certosa. Të gjitha janë gjëra që nuk ia vlen të lexohen”, tha Berluskoni. Kryeministri i ka komentuar si çmenduri titujt e gazetave, të cilat i quan opozitare. “Janë tituj çmendurie, por unë nuk ulem poshtë prej tyre”, tha ai. Ndërkohë, një tjetër dëshmitare nga vajzat e ftuara në festat e Berluskonit ka dëshmuar në prokurori në lidhje me akuzat për nxitje të prostitucionit të ‘organizatorit’ të festave të kryeministrit, Gianpaolo Tarantini. Vajza ka treguar se ka qenë pikërisht Tarantini që e ka ftuar në festë, por ajo nuk ka marrë asnjë pagesë për praninë e saj në pallatin Gracioli dhe se nuk ka qenë kurrë e ftuar në vilën Certosa.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›