Kaos në Iran, dhjetëra në arrest, censurë mediave
Irani është në kaos ndërsa për mediat është shumë e vështirë të raportohen detaje nga tubimet, pasi gazetarët e huaj janë ‘censuruar’ dhe dëbuar nga vendi. Protestat kanë nisur pas kontestimit të rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të 12 qershorit, që nxorën fitues presidentin aktual, Mahmoud Ahmadinexhad. Qeveria iraniane kontrollon fluksin e lajmeve që dalin nga vendi. Në internet janë publikuar video amatore nga të cilat mund të merret imazhi i situatës në sheshet e Teheranit. Nga sheshi protestuesit thërrasin të hedhin nga froni diktatorin. Ndërkohë televizioni Al Arabiya është mbyllur me argumentin se nuk kanë transmetuar disa njoftime nga qeveria, dhe është përzënë nga Irani gazetari i BBC-së, John Leyne, të cilit i janë dhënë 24 orë kohë për t’u larguar nga vendi. Ish-presidenti iranian, Mohammad Khatami tha se mbi Iranin do të ketë pasoja të rënda, për shkak të qëndrimit që po mbahet për ndalimin e protestave. Ndërsa shefi i policisë iraniane ka paralajmëruar mbështetësit e ish-kandidatit presidencial, Musavi, se forcat e rendit nuk do tërhiqen dhe do përballen me protestuesit. Në një letër dërguar të gjitha gazetave, ai thekson se policia do të vazhdojë të ruajë rregullin dhe qetësinë në Teheran, ku janë vrarë deri tani 19 persona. Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kërkon rinumërimin e votave të zgjedhjeve presidenciale në Iran dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Kancelarja Merkel tha se udhëheqësja e Iranit duhet të heqë dorë nga dhuna dhe të lejojë protestat. Edhe Sekretari i Jashtëm britanik ka reaguar duke hedhur poshtë akuzat e Teheranit zyrtar një natë më parë se, Britania dhe SHBA-ja kanë nxitur protestat e opozitës. Dejvid Miliband tha se vendet e huaja nuk kanë luajtur asnjë rol në përkrahjen e protestave të dhunshme. Ahmadinexhad u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe që të pushojnë së përzieri në punët e brendshme të Republikës Islamike. Miliband tha se u takon iranianëve që ta zgjedhin qeverinë e tyre, ndërsa autoritetet e Iranit duhet të sigurojnë korrektësi të rezultatit.