E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitmarja në maternitet, prokuroria pret deklarimet e mjekëve

TIRANË- Njësia e Task-Forcës në prokurorinë e Tiranës, bën gati flet-thirrjet për dy mjekët e maternitetit "Mbretëresha Geraldinë", kirurgun Janaq Kasapi dhe reanimatorin Arti Qosja, për të dhënë shpjegime në lidhje me akuzën e "korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" në bashkëpunim.


Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit të akuzës, të cilët sqaruan se fillimisht do të pyeten me cilësinë e personave nën hetim dhe më pas me cilësinë e të pandehurve, pasi pritet t'i komunikohet akuza e dyshuar.


"Nga hetimet disa mujore, të filluar në mars të këtij viti, prokuroria ka zbardhur vetëm një rast, kur kirurgu Janaq Kasapi dhe reanimatori Arti Qosja për kryerjen e një lindjeje me anë të operacionit, i kanë kërkuar familjarëve të pacientit 50 mijë lekë të reja"-thuhet nga prokuroria, që sipas tyre, dyshohet edhe për raste të tjera por nuk është bërë e mundur zbardhja e tyre. Ndërkaq, hetimi i tyre vazhdon në gjendje të lirë me masën e sigurisë "detyrim për paraqitjee", masë kjo e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë pas garancisë së dorëzuar nga dy mjekët me nga 500 mijë lekë të reja secili.


Sipas prokurorisë, hetimet po vazhdojnë dhe pritet që gjatë kësaj jave dosja të kompletohet, duke i administruar në dosje edhe kartelat e lindjeve ku mjekët kanë asistuar dhe që dyshohet se mund të kenë marrë ryshfet. Vetë drejtuesi i këtij Spitali, pas ngritjes së dyshimeve ndaj dy mjekëve të Maternitetit që ai drejton, ka shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me Prokurorinë, duke kërkuar zbardhjen e të vërtetës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›