E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim prej 13 vjetësh, vritet nga forcat RENEA

OPERACIONI/ Lazër Vuksani, i dënuar për dy vrasje, ka qëlluar kundër forcave të policisë që kërkonin të realizonin arrestimin e tij


SHKODËR- Ka shkëmbyer zjarr me policinë, ashtu siç kishte bërë dhe herë të tjera, por këtë radhë ka gjetur vdekjen 67-vjeçari Lazër Pal Vuksani nga fshati Vilë i komunës Temal në Shkodër. Forcat speciale RENEA janë parë mbrëmjen e së hënës teksa hynin në Shkodër bashkë me mjetet e tyre, ndërsa në orët e para të së martës është zhvilluar operacioni për kapjen e të shumëkërkuarit Lazër Vuksani, i dënuar me 23 vjet burgim për vrasje.


Lazër Vuksani, nga fshati Vilë, një fshat i thellë malor ky i komunës së Shllakut në zonën e Dukagjinit, ka qenë një ndër personat më të kërkuar nga policia e Shkodrës dhe operacionet për kapjen e tij kanë dështuar disa herë, ku nuk kanë munguar as shkëmbimet e zjarrit mes tij dhe policisë.


Duke qenë se i kërkuari ishte person me rrezikshmëri të lartë, drejtoria e policisë së Shkodrës pasi ka marrë informacion se ai ndodhej në banesën e tij në Vilë të Temalit, ka kërkuar dhe ndihmën e forcave speciale RENEA për kapjen e tij.


Përplasja me RENEA-n


Gjatë natës dhe orëve të para të së martës është bërë rrethimi i banesës së Lazër Vuksanit, në një pjesë të veçuar të fshatit, pranë malit të Cukalit. Paraditen e së martës, rreth orës 08:00, 67-vjeçarit i është bërë thirrje për dorëzim nga forcat e policisë.


Thirrjeve të policisë Vuksani i është përgjigjur me të shtëna në drejtim të tyre dhe ka dalë nga banesa në bahçen e tij duke tentuar të largohej në drejtim të malit, duke shtënë me armë zjarri në drejtim të policisë, siç kishte bërë dhe dy herë të tjera, ku kishte mundur të largohej duke qëlluar dhe të mos mund të kapej.


Ndërsa ka vazhduar të qëllojë, policia i është kundërpërgjigjur po me armë zjarri dhe pas rreth 20 minutash nga shkëmbimi i zjarrit, i shumëkërkuari Latër Pal Vuksani ka mbetur i vrarë.


Grupi hetimor dhe përfaqësues të prokurisë kanë shkuar me helikopter në vendin e ngjarjes, pasi terreni i vështirë dhe mungesa e rrugës sjell vonesa, si dhe shkohet vetëm me kamionë. Lazër Pal Vuksani njihej nga banorët e zonës së Tmalit e Shllakut si një person mjaft i rrezikshëm dhe i "fortë".


Vrasjet e Vuksanit


Më 1 qershor të vitit 1993 në fshatin Mal i Jushit Lazër Vuksani ka vrarë me armë zjarri shtetasin Gjek Vataj dhe ka plagosur një person tjetër. Pas kësaj ai është strehuar në fshatin e tij të lindjes në Vilë të Temalit për t'iu shmangur ndonjë gjakmarrjeje të mundshme, si dhe policisë që tentonte ta prangoste.


Vetëm 10 muaj më vonë, më 4 prill të vitit 1994, Lazër Vuksani, në fshatin Vilë ka vrarë shtetasin Lulash Nika dhe ka tentuar të vrasë dhe dy persona të tjerë. Rreth 1 vit më pas, më 7 korrik të vitit 1995 arrestimi i tij është bërë i mundur falë një operacioni në të cilën morën pjesë edhe forcat RENEA (Reparti i Eleminimit dhe Neutralizimit të Elementëve të Armatosur).


I dënuar me 23 vjet burgim për vrasjet e kryera, në mars të vitit 1997 Vuksani 54-vjeçar arrin që të arratiset nga burgu dhe që atëherë ka qënduar i fshehur, duke mos mundur të kapet nga policia e cila ka tentuar disa here që ta vërë sërish në pranga. Madje në dy raste ai është rrethuar nga uniformat blu, por duke qëlluar me armë drejt policisë ka mundur të çajë rrethimin dhe të largohet.


Pikërisht kështu ka dashur të veprojë dhe ditën e martë, ku ka shkrepur armën kundër forcave RENEA, nga të cilat u arrestua 15 vjet më parë, por ka mbetur i vrarë në bahçen e banesës së tij, rreth 500 m larg saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›