Rrëmbimi i Bleonës Prokuroria në kërkim të fuoristradës pa targa
Hetuesit e çështjes mbledhin dëshmi të reja dhe konfirmojnë se ditën e zhdukjes në mjet lëvizte me shpejtësi në fshat
TIRANË- Prokuroria për Krime të Rënda edhe paraditen e djeshme ka vazhduar me marrjen në pyetje të vajzave që ishin prezent në momentin e zhdukjes së 6 vjeçares Bleona Mata më datë 22 maj 2010 në fshatin Zapod të Kukësit.
Prokurori i çështjes Anton Martini gjatë ditës së djeshme i shoqëruar me dy oficerët e çështjes Bujar Gjana dhe Arben Frashëri, morën në pyetje disa persona, mes tyre edhe njërën nga vajzat që ishte në afërsi të vendit ku është parë për herë të fundit 6 vjeçarja, rreth 500 metra nga banesa e tyre në kullotat e kodrës për rreth.
Të gjithë këto personat e pyetur janë sjell nga Kukësi me fugonin e policisë, ku janë pyetur për rrethanat e ngjarjes.
Një nga vajzat që mesditën e djeshme u morr në pyetje, mësohet se ka deklaruar se kishte parë një makinë të tipit "Fuoristradë" që është larguar me shpejtësi nga zona, por, pa arritur të fiksoi targën e makinës. Vetë zyrtarët e prokurorisë, nuk japin detaje për dëshmitë e personave të thirrur gjatë ditës së djeshme, por, konfirmojnë se hetimet janë përqendruar në pistat konkrete të ngritura kohët e fundit në media.
Gjithashtu, pasditen e djeshme "Shekulli" ka konstatuar në listën e të kërkuarve ndërkombëtar që emri i vajzës 6 vjeçare nuk ndodhej.
Në lidhje me këtë fakt, burimet e prokurorisë sqaruan se janë kryer të gjitha verifikimet e mundshme dhe emri i vajzës i është përcjell zyrës së Interpolit këtu në Tiranë, por, nuk e dimë arsyen pse emri i vajzës nuk është vendosur akoma në listën e të humburve pa asnjë gjurmë.
Pak ditë më parë, ishte vetë prokurori i çështjes i shoqëruar me hetuesit që për disa orë morën në pyetje dy nga gjashtë vajzat që ishin në mal duke kullotur bagëtitë, pasi deklarimet e tyre kishin kontradikta. Pas pyetjes së tyre dhe vendosjes nën mbikëqyrje, edhe pozicionet e tyre janë sqaruara nga prokuroria, e cila mëngjesin e të enjtes do të zbarkoj sërish në Kukës për të kryer hetimet e mëtejshme në terren.
Sipas akuzës, vajza 6 vjeçare është zhdukur pa asnjë gjurmë pasditen e 22 majit 2010 në kullotat sipër fshatit ku kishte dalë për të shoqëruar kushërirat dhe hallën e saj që ndodheshin me bagëtitë.