E Diel, 1 Nëntor 2026

Vritet 31-vjeçari, familja kërkon mbrojtje

Familjarët e Sajmir Binjakut kërkojnë mbrojtje nga policia teksa thonë se është në rrezik edhe djali i vetëm i mbetur gjallë

Uniformat blu kanë shoqëruar që prej momentit të ngjarjes me dhjetëra persona, por ende s'ka emër autori


ELBASAN - Me dhjetëra persona janë shoqëruar në polici 24 orët e fundit, menjëherë pas ngjarjes së rëndë të regjistruar rreth orës 22:40 në një pikë interneti ku mbeti i vrarë 31-vjeçari Sajmir Binjaku. Mësohet se të gjithë personat e shoqëruar i janë nënshtruar seancave të pyetjeve, ekzaminimeve për barut dhe verifikimit të alibive të tyre. Ende nuk ka deklarim zyrtar mbi ndalimin e autorit të krimit të vrasjes edhe për faktin se ai ka qenë i maskuar. Gjithashtu mendohet se ka pasur persona të tjerë shoqërues që e kanë ndihmuar në realizimin dhe në largimin nga vendi i krimit.


Në ditën kur është kryer ceremonia mortore e 31-vjeçarit Sajmir Binjaku, familjarë dhe të afërm të tij kanë kërkuar mbrojtje dhe zbardhje të menjëhershme e arrestim të autorëve të kësaj vrasjeje. Mësohet se daja i tij Vladimir Nikolla që është edhe pronar i hotelit ka thënë se policia i njeh shumë mirë autorët dhe duhet të bëjë menjëherë arrestimin dhe vënien e tyre para drejtësisë.

Ai ka thënë se disa vrasje te ndodhura tek familjarët kanë vënë seriozisht në rrezik jetën e të gjithëve në familjen Binjaku. "Shteti duhet të marrë masa në mbrojtje të familjes së viktimës, pasi ka mbetur vetëm një nga djemtë gjallë dhe rrezikohet seriozisht jeta e tij". Kjo familje ka kërkuar mbrojtje duke iu frikësuar edhe një atentati tjetër ndaj saj, pasi autorët janë ende të lirë.

Në gjendje të tronditur pas kësaj ngjarjeje, daja i viktimës ka kërkuar arrestimin dhe vënien para drejtësisë të autorit me dënimin e merituar. Familja Binjaku dhe të afërmit ndihen të kërcënuar pas këtij krimi të paramenduar të regjistruar vetëm pak metra larg shtëpive të tyre në një pikë internet-kafe. 31-vjeçari njihej si një njeri i respektuar nga banorët e zonës megjithëse kishte regjistruar në të kaluarën e tij precedentë.

Duket se gjithçka për vëllezërit Binjaku ka ardhur pas vrasjes me thikë në Breshia të njërit prej tyre Spiro Binjakut, për të cilin ata kanë deklaruar kohë më parë se autorët lëvizin të lirë e nuk arrestohen.

Precedentët e Binjakut

Sipas njoftimeve të dhëna nga policia, Sajmir Binjaku kishte rënë dy herë në pranga. Arrestimi i tij i parë ishte në 19 dhjetor të vitit 2007, kohë në të cilën sipas policisë ai është ndaluar, pasi kishte kundërshtuar punonjësit e policisë.

Gjithashtu, Binjaku është ndaluar edhe në mars të këtij viti nga policia e kryeqytetit. Kjo për faktin se ai ishte shpallur në kërkim nga prokuroria e Elbasanit që më datë 11 prill 2009, pasi akuzohej për "vrasje të mbetur në tentativë", të kryer në bashkëpunim dhe "armëmbajtje pa leje". Gjithsesi, në të dy rastet Binjaku është liruar nga policia.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›