Mitomania e Edvinit për të imituar Enverin, shtoi anëtarësinë fiktive, një ditë para zgjedhjeve

Statistikat komuniste te zgjedhjeve në PS, reagon baza: Të parregullta dhe të manipuluara
Baza socialiste vë në dispozicion fakte dhe argumente bindëse që vërtetojnë manipulimin galopant të zgjedhjeve për kreun e ri të PS. Ylberisti Edi Rama fitoi me mbi 93%, duke lënë për Maqon vetëm një vlerë njëshifrore, por krahas kësaj, në kurriz të tij shtohen edhe akuza të rëndomta se ka manipuluar procesin, me anë të shpurës famëkeqe, që shpërndau në bazë ditën e zgjedhjeve.
Dy ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve për kreun e Partisë Socialiste, anëtarësia e saj në disa rrethe të vendit e denoncon këtë proces si një farsë të radhës të Edi Ramës. Denoncimet vijnë për parregullsi e manipulime. Shqetësimit të disa ditëve më parë të krerëve të degës së Shkodrës për ndryshimin e komisionerëve në momentet e fundit, i janë shtuar fakte të tjera që kanë të bëjnë shtimin fiktiv të anëtarësisë një ditë para votimit.
Kryetari i PS-së në Shkodër, Shiroka, u shpreh dje se “ditët e fundit janë shtuar 250 anëtarë të rinj që u paraqitën për të votuar të cilët nuk figurojnë në asnjë lloj dokumentacioni”.
Në Durrës ka pasur parregullsi të shumta me listat e votuesve, në të cilat figuronin anëtarë të larguar tashmë nga kjo forcë politike. Dy prej emrave të njohur të bazës socialiste në Durrës Natasha Paço e Bardhyl Agasi e konsiderojnë procesin zgjedhor një farsë të panevojshme për vetë rezultatin që rikthen në vëmendje kohët e Partisë së Punës.
Në Lushnje kryetari i degës Leonard Gogo dha dorëheqjen nga posti, largim në fakt që ai e kishte paralajmëruar javë më parë për shkak të kundërshtive lidhur me metodat e përdorura nga Rama. Kontestime të forta për mënyrën e zhvillimit të zgjedhjeve, jane shfaqur edhe në rrethe të tjera, ku procesi është zhvilluar vetëm nën mbikqyrjen e komisionerëve të emëruar nga Rama dhe mbështetës të tij.
Edhe Zamira Çaka, ish-kryetare e Komisionit Zgjedhor të PS-së dhe ish-deputete, e ftuar në një emision televiziv, tha se procesi i votimit në PS është fals, i paracaktuar për kreun e PS-së, që do jetë vetëm Rama.
“Ky proces nuk do të sjellë asgjë të re, vetëm do rikonfirmojë në krye te PS-së, Edi Ramën”, tha ajo.
Ajo theksoi se Edi Rama nuk duhet të rikandidonte.
Sipas saj, në listat e PS-së ka emra që nuk janë më pjesë e PS-së, pra do te thotë se në fakt numri i socialistëve që duhet të votonin sot nuk është 82 mijë. Çaka tha se edhe gara mes kandidatëve për kreun e PS-së nuk ka qenë e barabartë.
“Në takime brohoritje kishte vetëm për Ramën do të thotë se porositeshin njerëzit se për kë duhet të votonin2, argumentoi ajo.
Çaka tha se ajo nuk votoi në këtë garë.
“Vota ime nuk mund të shkonte për një kandidat që ishte paracaktuar se do ishte kryetar i PS-së”, bëri me dije ajo.
Përsa u takon akuzave të ish kryesocialistit, Fatos Nano, pak ditë më parë ndaj Edi Ramës, se ai është kërcënuar me jetë, Çaka tha se i beson fjalës së Nanos.
“Edhe ne që jemi anëtarë të PS-së kërcënimet na vijnë në forma të ndryshme. Ndaj unë besoj fjalën e Nanos”, u shpreh ajo.