“Shqipëria, një histori suksesi për reformat dhe investimet”
Kryeministri Berisha takohet me profesionistët e rinj në SHBA
Kryeministri Sali Berisha, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mori pjesë në pritjen Gala të organizuar për nder të Tij, në New York, nga Rrjeti i Profesionistëve dhe Shqiptaro - Amerikanëve (APEN). APEN është një organizatë e cila ka në fokus të punës së saj promovimin, mbështetjen dhe nxitjen e të rinjve profesionistë nga ekonomia dhe fusha të tjera, të cilët jetojnë, punojnë e studiojnë në SHBA.
Kjo organizatë, që prej tre vitesh është kthyer në një mbështetje të fuqishme për ata profesionistë dhe biznesmenë shqiptaro - amerikanë të cilët kërkojnë të mbajnë të forta lidhjet me Shqipërinë dhe të investojnë në mëmëdhe.
Në këtë takim entuziast, të organizuar në nder të kryeministrit, merrnin pjesë dhjetëra e dhjetëra të rinj shqiptarë që janë diplomuar në universitete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tani janë pedagogë, përfaqësues të biznesit dhe profesionistë që punojnë pranë kompanive të mëdha amerikane. Në takim ishin të pranishëm edhe dashamirës dhe miq të Shqipërisë nga SHBA.
Kryeministri Berisha mbajti një fjalë përshëndetëse në të cilën u ndal gjerësisht në të gjitha arritjet që Shqipëria ka shënuar në vitet e fundit, veçanërisht në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për krijimin e një klime të ngrohtë e të favorshme për biznesin. Në këtë aspekt, kryeministri përmendi vendosjen e barrës fiskale më të ulët në Evropë, vendosjen e taksës së sheshtë 10 për qind, rritjen e të ardhurave, vendosjen e prokurimeve elektronike, taksës elektronike, hapjen e “One Stop Shop” për regjistrimin e biznesit, heqjen e një pjese të madhe të licencave dhe vendosjen e atyre që mbeten në “One stop Shop” për licencat, investimin për krijimin e një krahu të lirë pune dhe të mirë-arsimuar, etj.
Kryeministri siguroi se qeveria po bën dhe do të bëjë çdo përpjekje për lehtësimin dhe mbështetjen e investitorëve vendas e të huaj, për të investuar me sukses në Shqipëri.
Duke u ndalur tek të rinjtë dhe kontributin e vyer që ata japin në integrimin e shoqërisë dhe zhvillimin e ekonomisë shqiptare, kryeministri Berisha i njohu të pranishmit më projektet e qeverisë për inkurajimin e të rinjve shqiptarë dhe tërheqjen e “trurit” për të investuar kapacitetet e tyre intelektuale dhe eksperiencën profesionale në Shqipëri.
Kryeministri siguroi edhe njëherë të pranishmit se qeveria shqiptare do të mbështesë biznesin e huaj dhe atë shqiptar me të gjithë vendosmërinë e saj dhe se janë të mirëpritur edhe biznesmenë nga SHBA, të cilët mund të shfrytëzojnë potencialet e saj në turizëm, infrastrukturë, miniera,energji, ndërtim etj dhe që do të kenë në Shqipëri një histori suksesi.