“Ndihma juaj, e jashtëzakonshme në pavarësinë e Kosovës dhe demokratizimin e Shqipërisë”
Në vijim të vizitës në SHBA, kryeministri Berisha vlerëson kontributin e federatës panshqiptare “Vatra”
Kryeministri Sali Berisha ka vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptar në SHBA në dobi të çështjes kombëtare si dhe rolin që kanë luajtur në përparimin dhe zhvillimin e vendit tonë. “Ndihma juaj ka qenë e madhe në pavarësinë e Kosovës dhe demokratizimin e Shqipërisë”, tha kryeministri Berisha, gjatë një takimi në Nju Jork me përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA, duke nënvizuar se “pavarësia e Kosovës është kryevepra e kombit shqiptar”.
Gjatë takimit, Berisha shprehu angazhimin e qeverisë për ta çuar Shqipërinë drejt prosperitetit dhe anëtarësimit në familjen evropiane.
Sipas tij, shoqata “Vatra” ka zënë një vend të rëndësishëm e historik në të gjithë rrugën e zhvillimit kombëtar, pasi shërben si një avokate e interesave kombëtare në Amerikë.
Kreu i qeverisë Berisha, vuri në dukje se në pesë vitet e fundit, shqiptarët kanë përjetuar ngjarje të mëdha dhe të papërsëritshme.
“Me pavarësinë e Kosovës shqiptarët ia dolën ta shndërrojnë në realitet ëndrrën shekullore të kombit tonë. Kjo për shkak të sakrificës dhe mendimit njerëzor, të gjithanshëm, me një trimëri dhe kurajë të pashoqe të popullit të Kosovës, të një mençurie të jashtëzakonshme të burrit të madh të kombit shqiptar, Ibrahim Rugovës dhe të një trimërie legjendare, të Adem Jasharit, shqiptarët shkruan historinë, sepse ia dolën të fitojnë edhe me ndihmën e këtij vendi të madh, SHBA-ve”, u shpreh Berisha.
Kryeministri Berisha veçoi si një arritje të madhe edhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
“Ne si komb kemi pasur një udhë shumë të vështirë, por e vërtetë është se pavarësisht nga vështirësitë e mëdha, pushtimet e zgjatura, vokacioni perëndimor i kombit shqiptar i ka bashkuar gjithnjë shqiptaret, pasi ky vokacion triumfon patjetër në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO”, theksoi Kryeministri Berisha.
Gjatë fjalës se tij, Kryeministri Berisha nuk la pa përmendur edhe zgjedhjet e fundit në Shqipëri, të cilat përmbushën të gjitha standardet e kërkuara.
Sipas Kryeministrit, një tjetër projekt i madh u konkretizua gjatë katër viteve të fundit, “Korridori i Kombit”, i cili ka transformuar dhe po transformon çdo ditë gjeografinë e këtij rajoni.
Berisha premtoi se në katër vitet që vijnë do të bëhet realitet projekti i integrimit evropian të shqiptarëve.
“Jam zotuar para shqiptarëve se në krye të katër viteve do të përgjysmoj distancat nga kryeqyteti i Shqipërisë me çdo vend banim shqiptar brenda dhe jashtë Shqipërisë. Shqipërinë do ta ndryshoj duke e sjellë atë te ‘mosha dixhitale’, sepse ajo është ‘mosha’ që duhet të ketë vendi ynë”, tha ai.
Një tjetër strategji e këtyre katër vjetëve, tha Kryeministri Berisha , do të jetë edhe tërheqja e sa më shumë investimeve të huaja.
Sipas Kryeministrit, në një vend si Shqipëria nuk duhet të ekzistojë “varfëria e tejskajshme”.
“Lufta kundër korrupsionit është mënyra më eficente për të luftuar varfërinë dhe mizerjen”, u shpreh kryeministri Berisha.