E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një burrë me përvojë për Obamën

Në përzgjedhjen e senatorit demokrat, Xho Bajden, si kandidati demokrat për nënpresident, zoti Obama pati parasysh përvojën e tij të gjatë në politikën e jashtme dhe në çështje të tjera. Ekspertët thonë se gjithashtu se origjina nga klasa punëtore e senatorit Biden po ashtu e ka ndihmuar senatorin Obama të bënte për vete grupe kyçe votuesish demokratë. Aftësitë personale dhe politike të Xho Bajdenit, prirja e tij për të folur hapur, që doli në pah gjatë fushatës, por edhe në debatin mes dy kandidatëve për nënpresident, kanë qenë të rëndësishme për të zgjeruar mbështetjen e senatorit Obama tek një pjesë e madhe e elektoratit. Kur Xho Bajdeni u përzgjodh si kandidat për nënpresident në gusht, ai solli me vete përvojën e tij të gjatë si senator në fushatën e senatorit Barak Obama. Analistët politikë thonë se kandidati Obama ka pasur disa arsye strategjike për zgjedhjen e zotit Bajden. Profesori Robert Dudlei nga Universiteti “Xhorxh Mason” në Virxhinia thotë se senatori Bajden mund t’i bëjë ballë një pike të fortë që e ka kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Senatori Xhen Mekejn. “Zoti Bajden i sjell kandidaturës demokrate përvojë në politikën e jashtme të të njëjtit nivel me atë të zotit Mekejn”.

Zoti Bajden është kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të senatit amerikan dhe ka shkuar gjatë viteve të tij si senator në zona konflikti, përfshirë Irakun dhe Gjeorgjinë. Analistët thonë se një arsye tjetër me rëndësi për zgjedhjen e zotit Bajden ishte për të siguruar votat në shtetet kyçe verilindore si Pensilvania dhe Ohajo. Zoti Obama u mund nga senatorja Hillari Klinton.

Profesori Alan Lihtman i Universitetit Amerikan shprehet:

“Ai është një demokrat me origjinë të thjeshtë dhe kjo është tërheqëse për votuesit e bardhë të shtresës punëtore”. Xho Bajden ka përfaqësuar shtetit e Dellauerit për 36 vjet. Përveç përvojës së tij në politikën e jashtme, ai ka shërbyer edhe si kryetar dhe anëtar i lartë i Komisionit Gjyqësor, i cili voton kandidatët për në Gjykatën e Lartë.

Zoti Bajden është 65 vjeç dhe lindi në një qytet punëtorësh në Pensilvani. Ai ishte vetëm 29 vjeç, kur u zgjodh për herë të parë në senat, në vitin 1972. Pak pas zgjedhjes në senat, një aksident me makinë i shkatërroi jetën private.

"Kur gruaja dhe vajza ime vdiqën në aksident, u ktheva në shtëpi nga spitali me dy djemtë që ishin plagosur keqazi. Motra ime dhe bashkëshorti i saj, pa më pyetur, lanë shtëpinë e tyre dhe erdhën të jetonin me mua, të më ndihmonin të rrisja fëmijët e mi", - tha ai zoti Bajden u martua me gruan e dytë, Xhill, një profesoreshë kolegji rreth 20 vjet më parë. Ai tentoi për herë të parë për të fituar emërimin si kandidat demokrat për President në vitin 1988. Fushata e tij u ndërpre kur një prej fjalimeve të tij u mendua të ishte kopjuar nga një deputet britanik. Që prej asaj kohe, zoti Bajden u përqendrua në punën e tij në senat deri në vitin e kaluar kur i hyri edhe një herë garës presidenciale. Zoti Bajden i shprehu haptazi idetë e tij për politikën e jashtme gjatë fushatës. Në Filadelfia të Pensilvanisë tetorin e kaluar ai akuzoi “Luftën kundër terrorit” të administratës së Presidentit Bush.

“Shtetet e Bashkuara kanë bërë që të moderuarit në Pakistan dhe Afganistan të fshihen. Kjo vë në rrezik njerëz si Presidenti afgan, Karzai, apo ai i Pakistanit, Musharraf”. Por në garën e parë paraprake demokrate të shtetit të Ajovas, zoti Bajden humbi ndjeshëm ndaj zotit Obama dhe kandidatët e tjerë demokratë. Senatori Bajden i dha fund fushatës së tij të nesërmen.

Por më 23 gusht, ai u shfaq në Springfield të Ilinoit, në krah të zotit Obama, si kandidati i tij për nënpresident. Katër ditë më pas, në Kuvendin Kombëtar të Demokratëve, ai shfaqi energjinë për të cilën njihet. “Po jetojmë në një kohë të jashtëzakonshme. Këto janë zgjedhje të jashtëzakonshme. Populli amerikan është gati. Unë jam gati, Barak Obama është gati. Është koha jonë, koha e Amerikës”. Prirja e zotit Bajden për të folur hapur u vu re gjatë fushatës dhe doli në pah edhe në debatin me kandidaten republikane për nënpresidente, Sara Pejlin. Në një replikë me rivalen ai tha: “Guvernatorja Sara Pejlin nuk iu përgjigj pyetjes për rregullat në sektorin financiar”. “Ndoshta unë nuk u përgjigjem pyetjeve ashtu siç do drejtuesi i debatit, ose ju. Por unë do t’i drejtohem direkt popullit amerikan”. Vëzhguesit thonë se aftësitë personale dhe politike të Xho Bajdenit kanë qenë të rëndësishme për të zgjeruar mbështetjen e senatorit Obama tek një pjesë e madhe e elektoratit.

Zonja e hekurt, Sara Pejlin

Demokratët thonë se zonja Pejlin është kundër çështjeve që kanë rëndësi për gratë. Ajo është kundër abortit, beson në krijimin e botës sipas Biblës dhe mbështet me forcë të drejtat për armëmbajtje

Mil Arcega/ “Zëri i Amerikës”

Disa analistë thonë se emërimi i saj ka gjallëruar partinë republikane, por të tjerë thonë se ajo është bërë një pengesë edhe më e madhe për ambiciet presidenciale të senatorit Xhon Mekejn sesa Presidenti Bush. Por cila është Sara Pejlin? Përgjigjja varet nga fakti se me cilën pjesë të elektoratit identifikohesh. Cilado qoftë përgjigjja, guvernatorja 44-vjeçare nga Alaska ka krijuar tashmë imazhin e një figure të re të konservatorizmit në Shtetet e Bashkuara, megjithëse shpeshherë e debatueshme. Që kur u shfaq në skenën politike kombëtare, guvernatorja e Alaskës, Sara Pejlin, ka elektrizuar shumë njerëz dhe ka ngjallur frymëzimin e mijëra përkrahësve.

Megjithatë, pavarësisht nga popullariteti i saj, ajo këmbëngul se është si çdo njeri tjetër. "Prindërit e mi punuan të dy në një shkollë fillore dhe si burri im dhe unë u rritëm duke punuar. Unë isha thjesht një mama që çonte djalin e saj në lojërat e hokejit", - thotë ajo. Por ata që e njohin, thonë se ajo është shumë më tepër se kaq. Në shkollë të mesme ajo ishte një basketbolliste e shkëlqyer dhe ambicioze. Përpara se t’i futej politikës, ajo u bë një pronare e një biznesi peshkimi dhe një reportere televizioni. Dhe sipas babait të saj, ajo arrinte çdo gjë që vinte si synim. "Ajo kishte kokë më vete dhe nëse thoshte që kishte të drejtë dhe zakonisht ajo kishte të drejtë, kështu do bëhej". Ajo u ngrit në detyrë nga anëtare e këshillit të qytetit në kryebashkiake e një qyteti të vogël dhe më pak se dy vjet më parë ajo u bë guvernatore e Alaskës. Guvernatorja Pejlin pëlqehet shumë në shtetin e saj, ku gëzon popullaritet të madh, prej rreth 80%. “Me 18 milionë votat e Hillarisë, gratë iu afruan fare pranë postit më të lartë, por mesa duket ato nuk do të ndalen këtu dhe ne mund ta shembim këtë pengesë një herë e përgjithmonë”, -tha ajo. Megjithëse shumë në partinë e saj shpresonin se emërimi i zonjës Pejlin do të bënte për vete përkrahësit e zonjës Klinton, disa thonë se kjo lloj përllogaritje ka dështuar. Demokratët thonë se zonja Pejlin është kundër çështjeve që kanë rëndësi për gratë. Ajo është kundër abortit, beson në krijimin e botës sipas Biblës dhe mbështet me forcë të drejtat për armëmbajtje.

Pas javësh të tëra, në ndjekje nga afër të veprimtarisë së saj dhe disa intervistash që e nxorën atë nën një dritë jo shumë pozitive, shkëlqimi i saj filloi të zbehej. Anketat e fundit tregojnë se më shumë amerikanë nuk kanë një pikëpamje të favorshme për të. 55 për qind e votuesve thonë se ajo nuk është e kualifikuar për të qenë nënpresidente. Rënia e saj në sondazhe ndodhi njëkohësisht me distancimin prej saj nga disa figura me peshë në partinë e saj. Një prej tyre është ish-sekretari i Shtetit, Kolin Pauell, që mbështeti kandidatin demokrat për president Obama dhe atë për nënpresident Bajden. “Ajo është një grua që duhet admiruar. Por në të njëjtën kohë, pas shtatë javësh që kemi pasur rastin të ndjekim qëndrimin e saj, unë nuk besoj se ajo do të ishte gati të bëhej presidente e Shteteve të Bashkuara, gjë që duhet ta ketë një nënpresident”, - thotë zoti Pauell. Disa republikanë thonë se zonja Pejlin po tërheq vëmendjen nga gjërat e rëndësishme, si për shembull kur u mor vesh se Komiteti Kombëtar Republikan kishte shpenzuar 150 mijë dollarë për veshje për të dhe familjen e saj. Xhon Mekejn thotë se ajo është gati. “Ajo ka entuziazmuar dhe elektrizuar bazën tonë. Ajo është e kundërta e programit liberal feminist për Amerikën. Ajo ka një familje të mrekullueshme, është reformatore, është konservatore. Është gjëja më e mirë për fushatën time dhe për Amerikën”, - thotë ai

Zonja Pejlin thotë se është e përgatitur të shërbejë si nënpresidentja e parë grua në Shtetet e Bashkuara. "Do të jetë nderi im t’i shërbej presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara", - thotë ajo.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›