E Shtunë, 31 Tetor 2026

EDITORIAL/ T’i jepet fund kancerit të mitrës

Parandalimi, trajtimi dhe mundja e kancerit janë në mesin e sfidave më të mëdha të shkencës dhe triumfeve personale të kohës sonë. Dhe tani kemi fuqinë të shpëtojmë nënat tona, motrat dhe vajzat nga një lloj i kancerit, i cili në botë e merr një jetë çdo dy minuta. 

 Kanceri i mitrës përparon me dekada, duke sulmuar gra të cilat kurrë nuk mund të dinë se janë të sëmura gjersa nuk bëhet tepër vonë. Shpesh i godet femrat në lulëzim, kur janë duke rritur fëmijë, duke punuar shumë dhe duke u marrë plotësisht me familjen, komunitetin dhe jetën ekonomike, gjë që i bën këto vdekje të panevojshme edhe më tragjike. Kanceri i mitrës është i posaçëm kur janë në fjalë kancerët, sepse e njohim njërin nga shkaktarët kryesorë të saj: llojet e caktuara të virusit, papilloma të njerëzve (HPV). Gjithashtu, dimë si ta parandalojmë. Tani ekzistojnë vaksina, të cilat kur i jepen vajzave para se ato të bëhen aktive seksualisht, më vonë do t’i mbrojnë nga lloji i HPV-së që potencialisht është vdekjeprurës. Në SHBA dhe shtetet tjera të pasura, vaksinat HPV, së bashku me ekzaminimet dhe teknologjitë për zbulim të hershëm janë bërë standarde. Sidoqoftë, kanceri i mitrës mbetet shkaku numër një i vdekjeve prej kancerit te gratë në botën në zhvillim, sepse ato nuk kanë qasje ndaj këtyre teknologjive. Është vështirë që të ndalen të gjitha llojet e HPV-së nga përhapja, por mund t’i ndalim disa nga ato që të mos vrasin.
Sot në Gjenevë, Bordi i Aleancës Globale për Vaksina dhe Imunizim (GAVI), që përfshin një përfaqësues nga SHBA-ja, do të vendosë nëse do të zotohet për krijimin të vaksinave HPV që të jenë të gatshme për vajza në 72 shtetet më të varfra. GAVI është një aleancë ndërkombëtare e qeverive, agjencive ndërkombëtare dhe organizatave joqeveritare, të cilat ndihmojnë në dërgimin e vaksinave nëpër shtetet, të cilat përndryshe nuk janë në gjendje t’i posedojnë ato. Kur GAVI i përkushtohet një vaksine, punon me udhëheqësit në sektorët publikë dhe privatë për të kryer premtimin e vet. Por pa një përkushtim të GAVI-t, kjo vaksinë që shpëton jetë do të mbetet privilegj i vetëm disave, në vend që të vihet në mes të fushëbetejave të kësaj sëmundjeje të tmerrshme. Ne kemi të dhënat të cilat vërtetojnë se furnizimi i shteteve më të varfra të botës me vaksina HPV është i realizueshëm, i mundshëm dhe i nevojshëm. GAVI llogarit se çmimi i vaksinës HPV në 10 dollarë për një dozë është i mundur dhe sipas të gjitha gjasave, do të jetë edhe më lirë. Çmimi blerës për shtetet më të varfra, për të cilat GAVI vendos, do të jetë 0.30 dollarë për dozë, çmim të cilin edhe shtetet më të varfra mund ta paguajnë. Dallimi do të mbulohet me anë të financimit ndërkombëtar dhe zbritjeve dramatike nga kompanitë farmaceutike, të cilat e prodhojnë vaksinën. Ky kombinim i nevojës dhe zgjidhjes së thjeshtë dhe të mundshme e bën të hapur rrugën përpara. Të jemi të qartë, asnjë zbulim i ri apo teknologji nuk është pa pak kontroversë dhe vaksina HPV nuk bën përjashtim. Janë ngritur disa brenga rreth ndikimit që vaksina mund të ketë në sjelljet seksuale; sidoqoftë, nuk ka dëshmi që futja në përdorim e kësaj apo cilësdo vaksinë tjetër efektive çon deri te ndryshimet në sjelljet njerëzore, përfshirë aktivitetin seksual. Në të njëjtën kohë, ne pranojmë që vaksina HPV vetëm nuk mjafton për të çrrënjosur kancerin e mitrës në dekadat e ardhshme. Ne duhet t’u dërgojmë teknologji të reja e të thjeshta të ekzaminimit grave për të cilat vaksina nuk është e përshtatshme. Vaksinat janë më efektive kur u jepen vajzave para se ato të bëhen aktive seksualisht dhe e marrin virusin. Për të gjitha gratë tjera, pajisjet e ekzaminimit, si dhe trajtimi edhe për anormalitetet para-kanceroze të mitrës dhe vetë kancerin, duhen të jenë më gjerësisht të arritshme. Në vende ku ekzaminimi dhe trajtimi mund të jenë gjithmonë larg qasjes, vaksinimi është themelor. Në fakt, është njëra nga mrekullitë e shekullit tonë të ri, që parandalimi i kancerit të mitrës tani vjen në një shishkë. Vaksina HPV është e ndërtuar nga ana e shkencës së pranuar nga ‘Nobeli’. Është efektive. Është e sigurt. Është e lirë. Dhe më së shumti është e nevojitur në vendet ku është më së vështiri të merret. SHBA-ja ka edhe një mundësi që të tregojë besimin dhe udhëheqësinë tonë në fuqitë e zbulimit dhe teknologjisë, me këtë zotim se do të përmirësojë jetët e familjeve, komuniteteve dhe kombeve.
Lance Armstrong është një çiklist kampion, mbijetues i kancerit dhe kryetar i Fondacionit ‘Lance Armstrong’. John Seffrin është zyrtari kryesor ekzekutiv i Shoqërisë Amerikane kundër Kancerit.
“Washington Post”

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›