E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mitrovica, e para në Vlorë

Në festivalin folklorik ndërkombëtar, që u mbajt në Vlorë, ansambli i Këngëve dhe Valleve Rexhep Mitrovica, nga Mitrovica mori çmimin e parë. Nga Express më 18 maj 2011 në ora 12:06

Ansambli mitrovicas u shpall të hënën mbrëma si më i miri në mesin e të gjitha grupeve pjesëmarrëse në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar Aulona International Folk Festival, i cili për tre net rresht u mbajt në Vlorë.

Në natën e tretë të festivalit u dha edhe një koncert me pjesë të përzgjedhura të tetë grupeve pjesëmarrëse. E në fund, juria e festivalit vendosi që ansambli nga Mitrovica, edhe pse mori pjesë për herë të parë, të vlerësohet maksimalisht.

Sipas udhëheqësit artistik të ansamblit Rexhep Mitrovica, Haki Shkrelit: "Ansambli kultivon këngën, vallen dhe zakonet e mirëfillta të kombit shqiptar. Ato janë tradicionale shqiptare të rrethit të Mitrovicës".

Sipas Shkrelit, veshjet janë të shumëllojshme dhe kanë një larmi të jashtëzakonshme të ngjyrave, ndonëse ajo që është për t’u veçuar është se ato janë origjinale dhe janë ruajtur me qindra vite.

Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Mitrovicë, Artan Osmani, i cili ka shoqëruar ansamblin në Vlorë, ka falënderuar drejtuesit e Bashkisë së Vlorës për mundësinë që i dhanë ansamblit mitrovicas për të qenë pjesë e një ngjarjeje të tillë kulturore.

“Pjesëmarrja në këtë festival, por edhe vlerësimi me vendin e parë dhe përkrahja nga ansamblet e shteteve pjesëmarrëse, ishte një ngjarjeje që tejkaloi kufijtë e thjeshtë të kulturës”, tha Osmani.

Ndryshe, në fund të manifestimit në Vlorë është mbajtur edhe një ceremoni e veçantë, gjatë së cilës u dhanë diploma vlerësimi për pjesëmarrësit dhe u shkëmbyen dhurata.

Në edicionin e tretë të këtij festivali ndërkombëtar morën pjesë tetë ansamble folklorike nga Turqia, Polonia, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Kosova, Italia, Bullgaria dhe Shqipëria.

Festivali, sipas organizatorëve, synon të sjellë në skenë folklorin burimor të shteteve të ndryshme pjesëmarrëse.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›