Mitrovica, jashtë bisedimeve të Kumanovës
Në kohën e bisedimeve për Marrëveshjen e Kumanovës nuk është përmendur asnjëherë Mitrovica. Kështu ka deklaruar ish-komandanti i parë i KFOR-it, gjenerali Michael Jackson, në një intervistë dhënë për Radion Europa e Lirë. "Jam i sigurt se nuk kemi folur për Mitrovicën në veçanti gjatë atyre negociatave", ka thënë Jackson. I pyetur rreth kërkesës së Serbisë për ndryshimin e Marrëveshjes së Kumanovës, e cila solli fundin e sulmeve të NATO-s kundër caqeve të Millosheviqit në vitin 1999, Jackson ka thënë se do të jetë shumë e vështirë për ta ndryshuar Marrëveshjen, e cila u arrit pas negociatave jo të lehta. "Pjesa më e madhe e Marrëveshjes kishte të bënte me tërheqjen forcave serbe të sigurisë, ndaj nuk jam i sigurt se çfarë pjesësh të Marrëveshjes duan të rishikojnë apo të ndryshojnë. Më kujtohet se mes të tjerash Marrëveshja bënte fjalë dhe për zonën prej pesë km brenda territorit të Serbisë, ku nuk mund të vendoseshin forca serbe. Aktualisht nuk e di nëse bëhet fjalë për ndryshimin e kësaj pjese", ka sqaruar gjenerali. Marrëveshja e Kumanovës, sipas Jackson-it, ishte shumë e rëndësishme, pasi i dha fund veprimeve ushtarake dhe arriti atë që në Rezolutën 1244 cilësohet si vendosje e pranisë ushtarake dhe civile ndërkombëtare. "Nuk mendoj se ndryshimi i Marrëveshjes do të ishte gjë e mençur", ka vlerësuar ai.Për më tepër, sipas Jackson-it, pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga Kosova, ndryshimi i mundshëm i Marrëveshjes është dhe më i komplikuar. Gjenerali Jackson po ashtu ka hedhur poshtë spekulimet se me Marrëveshjen e Kumanovës, serbëve u janë bërë lëshime për veriun e Kosovës.