Mitrovica, vatër krize për shumë vite

Ish i dërguari i posaçëm i BE-së për Kosovën, ambasadori Wolfgang Petritsch ka deklaruar se tensionet në Mitrovicë do të vazhdojnë gjithnjë përderisa të mos ketë një zgjidhje përfundimtare të problemit të Kosovës.Ambasadori Petritsch tha se problemi në Mitrovicë është problem i sigurisë i cili pa masa të sigurisë të ndërmarra nga BE-ja, e mbështetur nga NATO, nuk do të mund të kontrollohet dhe nuk do të mund të shmangen incidentet. "Mitrovica do të mbetet vatër e krizës për shumë vjet të ardhshme, gjithnjë përderisa problemi i Kosovës të mos jetë zgjidhur plotësisht dhe kam frikë se kjo nuk do të ndodh përpara se i gjithë rajoni të bëhet pjesë e BE-së", ka vlerësuar ndër të tjera Petritsch. Ai tha se BE-ja duhet t'ia bëjë të qartë Beogradit se devijimi nga bashkëpunimi, siç e cilësoi, jo i lehtë, do të ketë pasoja politike për Serbinë. Petritsch tha se Beogradi nuk do të përafrohet me BE-në derisa nuk ka një shkallë të bashkëpunimit dhe të pranimit të një niveli të fakteve në terren dhe shtoi se Beogradi duhet të mos inkurajojë dhunën në Kosovë, kudoqoftë.