Mitrovicë, një shqiptar vritet me eksploziv
Një shqiptar 38 vjeç ka mbetur i vdekur nga një sulm me mjete shpërthyese në banesën e tij në veri të Mitrovicës, njofton Policia e Kosovës. Rasti ka ndodhur mëngjesin e së dielës, rreth orës 01:00, në rrugën Kolashini përkatësisht në zonën e Tre rrokaqiejve.
Mjeti shpërthyes, që besohet të jetë një sasi e eksplozivit plastik, besohet të ketë qenë vendosur dhe aktivizuar në parmakun e dritares së banesës në katin përdhes të familjes Haradinaj, ndërsa në këtë sulm, plagë vdekjeprurëse ka marrë viktima S.H. (datëlindja 1974), kurse janë lënduar bashkëshortja dhe katër fëmijët e tij, të cilët janë trajtuar në spitalin e Mitrovicës.
Në njoftimin e policisë, thuhet se njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës kanë bërë sigurimin e vendit të ngjarjes, ndërsa hetuesit policorë janë duke kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes nën udhëheqjen e Prokurorit Publik.
Deri në këto momente nuk është raportuar për persona të arrestuar apo të dyshuar si kryes të këtij akti, ndërsa sektori i hetimeve të krimeve serioze në Mitrovicë, është duke ndjekur hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivet e rastit, thuhet në njoftimin e Poilicisë së Kosovës