Mujota merr zyrtarisht detyrën e ministrit të Forcës së Sigurisë
Fehmi Mujota, mori dje zyrtarisht detyrën e ministrit të Forcës së Sigurisë. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i dorëzoi dje paradite vendimin ministrit të sapo emëruar. Kryeministri përgëzoi ministrin Fehmi Mujota për emërimin e tij në këtë post dhe i uroi atij sukses në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve që përcakton Kushtetuta dhe ligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Kryeministri vlerësoi se Fehmi Mujota, me angazhimin e tij të deritashëm ka dëshmuar përkushtimin dhe përgjegjësinë e lartë në avancimin e proceseve politike në Kosovë. “Ky fakt na bën të besojmë, se emërimi i tij në krye të Ministrisë për Forcën e Sigurisë, do të kontribuojë në suksesin e ndërtimit të strukturave të sigurisë në Kosovë”,- tha kryeministri Hashim Thaçi. Emërimi i ministrit të Forcës së Sigurisë do të përshpejtojë ndërtimin dhe strukturimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Bakojanis: “Me Maqedoninë negociojmë vetëm për emrin”
Ministrja e Jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis ka pohuar se Athina do të negociojë me Maqedoninë vetëm për çështjen e emrit dhe për asnjë çështje tjetër. Deklarata e kryediplomates greke erdhi pas ftesës së ndërmjetësit Methju Nimiç për fillimin e një raundi të ri bisedimesh mes Athinës dhe Shkupit. Bakojanis theksoi gjithashtu se raundi i ri i negociatave për emrin e Maqedonisë do të fillojë me qëndrimet e njohura për të gjithë duke na bërë të kuptojmë se autoritetet greke vazhdojnë të mohojnë ekzistencën e pakicës maqedonase në Greqi. Athina zyrtare disa herë përsëritur se me Maqedoninë do të negociojnë vetëm për çështjen e emrit. Ndërkohë raundi i ri i bisedimeve për emrin e Maqedonisë pritet të fillojë më 14 dhe 15 gusht në Nju Jork ku do të jenë të pranishëm negociatorët e dy vendeve, Nikolla Dimitrov dhe Ademantois Vasilakis. Nuk dihet ende nëse Nimiç do të zhvillojë takime të përbashkëta me dy të dërguarit, apo ato do të jenë të ndara. Raundi i fundit i bisedimeve u mbajt në Nju Jork nga mesi i muajit të kaluar, kur ndërmjetësi pati takime të ndara me Dimitrovin dhe Vasilakisin.
6 Gusht 2008