E Diel, 1 Nëntor 2026

Mitrovicë, serbët e barrikadave plagosin 21 ushtarë të KFOR, 2 rëndë

MITROVICE - Gjatë aksionit të mbrëmshëm të KFOR-it në veri të vendit për heqjen e barrikadës tek vendi i quajtur Kërshi i Dudit, raportohet se janë plagosur 21 ushtarë të KFOR, ndër të cilët 2 prej tyre në gjendje të rëndë.

Lajmin për plagosjen e ushtarëve të KFOR-it e ka konfirmuar zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, njoftojnë mediat serbe. Novicki ka thënë se dy nga 21 ushtarët janë të plagosur rëndë.

Aksioni i mbrëmshëm sipas Novicki ka qenë plotësisht me mandatin e KFOR-it për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes.

Nga ana tjetër, nuk dihet saktë për numrin e serbëve të plagosur, por raportohet se disa serbë kanë kërkuar ndërhyrje mjekësore për shkak të gazit lotsjellës.

Perplasja
Trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë janë përplasur me qindra serbë të veriut. Raportohet se ushtarët e KFOR-it kanë nisur, brenda natës, largimin e një barrikade rrugore në pjesën veriore të Mitrovicës dhe se kanë përdorur gazin lotsjellës për të shpërndarë serbët që synonin të mbronin barrikadën.

Raportohet madje edhe për të shtëna me armë zjarri. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, pjesë e trupave që ndërmorën aksionin, ishin portugezët dhe hungarezët.

NATO-ja, megjithatë, nuk e ka komentuar ngjarjen.

Që pas aksionit për futjen nën kontroll të dy pikave kufitare në veri të vendit, të cilin autoritetet kosovare e ndërmorën rreth mesit të muajit korrik, e deri më tani, në veri të Mitrovicës vazhdojnë të mbesin disa barrikada rrugore, të vendosura nga serbët si shenjë kundërshtimi për shtrirjen e autoritetit shtetëror të Prishtinës zyrtare edhe në atë pjesë.

(d.b/Evropaelire/BalkanWeb) Lidhje te tjera Tensionet në veri, Hoxhaj akuzon Serbinë Rusia shqyrton kërkesat e serbëve për shtetësi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›