Mitrovicë, shkatërrohen nga anonimë, makinat e një serbi dhe një shqiptari

Prishtinë, 8 janar 20:04 NOA - Në Suhadoll të Mitrovicës grupe personash të paidentifikuar kanë dëmtuar dy vetura civile, njëra pronë e një serbi dhe një tjetër pronë e një shqiptari.
Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicë tha sot se ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, rreth orës 19:00, ndërsa pak çaste pas dëmtimit të veturave, banorët shqiptarë dhe serbë të fshatit Suhadoll janë tubuar në grupe prej 30 deri 50 personash. Rruga kryesore që lidhë fshatrat Suhadoll i Epërm dhe i Poshtëm, është mbajtur e bllokuar për një periudhë të shkurtër kohore.
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës të stacionit veri në Mitrovicë, thanë se kanë kërkuar asistencën e pjesëtarëve të policisë së Kosovës të stacionit jugor për të vënë situatën nën kontroll dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Situata është normalizuar menjëherë pas intervenimit të forcave policore, të cilët kanë zhvilluar biseda me banorët shqiptarë dhe serb të fshatit Suhadoll.
Policia e Kosovës pohoi se ka koordinuar informatat dhe veprimet e saja me zyrtarët policor të EULEX-it dhe të KFOR-it, për të siguruar asistencën e duhur në rast se paraqitej e domosdoshme.
Veç dëmeve materiale në dy veturat civile, nuk është raportuar për të lënduar në njerëz. Rreth orës 20:00 banorët e tubuar në fshatin Suhadoll, janë shpërndarë në shtëpitë e tyre, ndërsa rruga është liruar për qarkullim të lirë.
a.b/NOA