Mitrovicë, situata duhet të mbahet nën kontroll
Mitrovicë - Përfaqësuesit e strukturave politike dhe ato të sigurisë në Mitrovicë, kanë vlerësuar sot në takimin e Komitetit për Siguri se tensionet në veri të qytetit vazhdojnë të jenë të ngritura për shkak të incidenteve që po ndodhin atje. Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, theksoi se incidentet që janë duke ndodhur në veri të qytetit, si shpërthimi në afërsi të zonës së "Tre rrokaqiejve", mandej rrahja e një ushtari të KFOR it nga një grup serbësh etj, kanë shqetësuar banorët që jetojnë në atë pjesë. Rexhepi kërkoi që strukturat e sigurisë të jenë vigjilente gjatë këtyre ditëve, kur në veri janë paralajmëruar manifestime të ndryshme provokuese që përkojnë me dhjetëvjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO s. "Strukturat e sigurisë duhet të jenë vigjilente në mënyrë që të parandalohen incidentet e mundshme që janë duke ngritur tensione, dhe që gjendja të mbahet e qetë dhe nën kontroll", theksoi Rexhepi. Zyrtarët e policisë rajonale përmenden incidentet që kanë ndodhur javën e fundit, ndërsa për paralajmërimet që kanë të bëjnë me aktivitete që pritet të mbahen në veri kundër fushatës ajrore të NATO së që kishte filluar para një decenie, thanë se janë marrë masat e duhura që situata të menaxhohet me sukses. Po ashtu edhe përfaqësuesit e KFOR it në këtë takim theksuan se ata janë të gatshëm të përballen me të gjitha sfidat që kanë të bëjnë me ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë.