E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hyseni: Serbia pengesë për bashkëpunimin

Nju Jork -Është mbledhur sot në Nju Jork mbledhja e Këshillit të Sigurimit, ku ka mbajtur fjalën e tij ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Skënder Hyseni. Ministri kosovar theksoi se Serbia është pengesë e bashkëpunimit me fqinjët në Rajon, ku ka siguruar se Kosova ka marrëdhënie të mira me të gjitha shtetet e tjera, përveç Serbisë.

“Republika e Kosovës bashkëpunimin me fqinjët e ka vënë si prioritet të lartë. Beogradi po përpiqet të pengojë bashkëpunimin tonë me fqinjët dhe me komunitetin ndërkombëtar, duke bllokuar pjesëmarrjen tonë në trupa rajonalë dhe ndërkombëtar. Beogradi po bllokon eksportet tona në Serbi. Qeveria jonë është përmbajtur nga masat reciproke, që do të dëmtonin njerëzit dhe bizneset në të dyja anët. Shpresojmë se Republika e Serbisë do ta kuptojë dhe pranojë domosdonë e bashkimit në përpjekjet e kombeve të tjera të Ballkanit Perëndimor për të krijuar një ambient bashkëpunimi dhe mirëkuptimi në rajon, përfshirë këtu edhe normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Kosovës”-theksoi Hyseni.

Hyseni tha se qeveria e Kosovës është e angazhuar për të krijuar një mjedis të mirë dhe të përshtatshëm për krijimin e një shteti shumë etnik dhe me vlera demokratike në Kosovë. “E ardhmja e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor është në drejtim të Bashkimit Evropian, edhe Kosova e ka këtë qëllim”-theksoi Hyseni.

Ai ka shtuar se Kosova është e gatshme të zhvillojë bisedime me Serbinë për një sërë çështjesh, por ka shtuar se Serbia është ndihmëse e strukturave paralele. Për sa i përket Mitrovicës, qytetit problematik, shefi i diplomacisë kosovare, tha se qyteti verior është parajsë e krimit të organizuar.

“Serbia në mënyrë aktive po punon që të ndalojë qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me institucionet të cilat duan t’i mbrojnë të drejtat e tyre, t’u ndihmojnë për t’i zgjidhur problemet dhe për të përmirësuar jetën e tyre. Qeveria serbe përkrah strukturat paralele ilegale, të cilat po i eksploatojnë qytetarët serbë të Kosovës, po u krijojnë konfuzion dhe asnjëherë nuk po u ofrojnë ndihmë ose zgjidhje për problemet e tyre”-theksoi Hyseni.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›