Trishe:Ekonomia botërore drejt ringritjes

Presidenti i Bankës Qendrore Europiane Zhan Klod Trishe, i cili është njëkohësisht edhe zëdhënës i 10 Bankave Qendrore Botërore (G10), ka deklaruar se ekonomia botërore po i afrohet çastit të ringritjes. Pjesa më e madhe e vëzhguesve presin një rritje negative për vendet e industrializuara këtë vit dhe rritja botërore pritet të jetë pranë zeros në vitin 2009, por me një ringritje më 2010-ën. "Ne po i afrohemi çastit kur do të ketë rimëkëmbje", tha Trishe në përfundim të një takimi dymujor të G10-ës në selinë e Bankës së Zgjidhjeve Ndërkombëtare (BRI). "Elementët pozitivë, masat veçanërisht fiskale të marra nga qeveritë për t'i bërë ballë krizës ekonomike dhe ulja e çmimeve në fushën e lëndëve të para, nuk janë marrë krejtësisht parasysh për momentin dhe mund të influencojnë pozitivisht ekonominë", ka shtuar Trishe. Sipas tij, ka një angazhim shumë të fortë nga autoritetet e qeverive për të mos i lejuar institucionet me rëndësi sistemike të zhyten në një recension të mëtejshëm. "Pasiguritë që mbeten forcojnë megjithatë mungesën e besimit që qëndron në origjinë të krizës ekonomike", theksoi ai, duke shtuar se duhet bërë gjithçka për rimëkëmbjen ekonomike. Përballë njoftimeve nga shumë vende, të planeve për rimëkëmbjen e sektorëve industrialë të prekur nga ngadalësimi ekonomik, Trishe nënvizoi rëndësinë e luftës ndaj proteksionizmit dhe për të mbyllur me sukses negociatat e ciklit të Dohas, që po çalojnë që prej tetë vjetësh, lidhur me liberalizmin e shkëmbimeve ekonomike.