E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Mjaft!", Nishanit: Çmilitarizo shtëpinë e pushimit në Durrës

Lëvizja "Mjaft!" i ka shkruar një letër ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, ku akuzojnë policinë se nuk i ka lejuar të vizitojë të mbijetuarit e katastrofës së Gërdecit, që janë strehuar në Shtëpinë e Pushimit në Durrës. Siç thekson "Mjaft!",

Mbrëmë rreth orës 18:00, një grup aktivistësh të lëvizjes "Mjaft!", ndryshe, qytetarë të lirë të këtij vendi, tentuan të vizitojnë familjet e strehuara në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme (Konvaleshenca) në Durrës. Aktivistët e Lëvizjes nuk u lejuan të takojnë të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit që momentalisht strehohen aty, të penguar nga oficeri i Policisë së Shtetit, i cili ruante hyrjen për në ambientet e Konvaleshencës. Pas një diskutimi të gjatë, por të pafrytshëm, aktivistët u njoftuan se me urdhër të drejtorit të Konvaleshencës, Muzlli Shanaj, "aty nuk lejohet të hyjë ‘Mjafti‘". Gjithashtu, u pengua të hyjë edhe një trupë televizive nga kryeqyteti, sepse sërish me urdhër të z. Muzlli, nuk lejoheshin as mediat të hynin". Në letrën e tyre "Mjaft!" i bën thirrje ministrit Nishani të marrë masa, duke e çmilitarizuar këtë shtëpi pushimi, ku për momentin strehohen disa njerëz fatkeqë. Gjithashtu, i kujtojmë ministrit se këto ambiente që tashmë janë kthyer në njësi internimi, duhet të jenë të aksesueshme nga shoqëria civile, mediat dhe të tjerë, në mënyrë që të lehtësohet ndihma ndaj personave të strehuar aty.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›