E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi takon kryeushtarakun hungarez: Faleminderit për ndihmën

Presidenti i Republikës, njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ka pritur dje shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Hungarisë, Gjen. Havril Andras dhe delegacionin që e shoqëron gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe shefi i Shtabit të FA të Republikës së Shqipërisë, gjeneral lejtnant, Luan Hoxha. Gjatë këtij takimi, Presidenti Topi ka uruar për 160-vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura të Hungarisë dhe ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona duke shprehur mirënjohjen për ndihmën e spikatur, shumëplanëshe, të sinqertë e miqësore që Hungaria u ka dhënë proceseve integruese euroatlantike të Shqipërisë. Kreu i shtetit ka shprehur edhe mirënjohjen për ratifikimin nga ana e Hungarisë të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit, për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe për gatishmërinë e palës hungareze për ratifikimin e shpejtë të marrëveshjes së integrimit tonë të plotë në NATO. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Hungarisë, Gjenerali Havril Andras, pasi falënderoi për mikpritjen dhe për urimet, i përcolli kreu të shtetit shqiptar përshëndetjet e përzemërta të Presidentit hungarez, Solyom.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›