E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulqini: "Gërdeci", qeveria nuk po sjell raport në Kuvend

Çështja e Gërdecit është rikthyer sërish në objekt debati në sallën e Kuvendit. Deputeti i PS-së, Musa Ulqini, gjatë diskutimit të tij të lirë i ka kujtuar mazhorancës dhe qeverisë se ende në Kuvend nuk ka ardhur raporti me shkrim për ngjarjen e Gërdecit. Ai ka theksuar se tashmë kanë kaluar dy muaj dhe nga qeveria nuk ka një raport të vetin për këtë tragjedi mjaft të rëndë, e cila mori jetë njerëzish, la të plagosur dhe gjymtuar shumë të tjerë, ndërkohë që shkatërroi pasurinë e qindra familjeve. "Krimi shtetëror që shkaktoi Gërdecin shënoi 20 mijë banorë të dëmtuar dhe vetëm 50% e tyre janë dëmshpërblyer. Plot 340 persona në 1 qershor janë të detyruar të largohen nga Konvaleshenca dhe ende qeveria nuk ka një raport të sajin se çfarë do të bëhet me ta", ka deklaruar në sallën e Kuvendit deputeti i PS-së, Ulqini. Deklarata e Ulqinit është mbështetur edhe nga deputetja e PSD-së, Diana Çuli, e cila ashtu si kolegu i tij, ka akuzuar qeverinë se po e shtyn raportin, me qëllim që shqiptarët të harrojnë këtë tragjedi dhe të shpëtojnë shkaktarët e saj. Ndërsa deputeti i PD-së, Sali Shehu, ka kërkuar që opozita ta lërë këtë çështje duke mos u marrë vetëm me anët negative të saj, por edhe me punën e mirë që bënë strukturat shtetërore, për ta kapërcyer sa më shpejt këtë tragjedi. Prej disa javësh, opozita vazhdimisht po kërkon në Kuvend një raport të hollësishëm nga qeveria dhe konkretisht nga Kryeministri Berisha në lidhje me tragjedinë e Gërdecit, çfarë masash janë marrë për të ndihmuar këta banorë dhe sa është shifra e dëmeve të shkaktuara nga ai shpërthim. Deri më tani, Kryeministri Berisha ka bërë vetëm një deklaratë për këtë tragjedi, duke u mbrojtur politikisht dhe duke mos bërë asnjë bilanc konkret për dëmet e shkaktuara. Gjithashtu, LSI-ja, ka kërkuar ngritjen e një komisioni hetimor për tragjedinë e Gërdecit, për të hetuar në lidhje me shkaqet dhe shkaktarët e saj. Kërkesa është depozituar në Kuvend prej disa javësh pro ende Kryetarja e Kuvendit, Topalli, nuk ka vendosur ta fusë në rend të ditës për të votuar miratimin e tij. Sipas opozitës, çështja e Gërdecit po zvarritet qëllimisht nga mazhoranca dhe kjo duket fare qartë edhe te zvarritja e heqjes së imunitetit të deputetit Mediu, i cili ka qenë ministër Mbrojtjeje në kohën e shpërthimit të Gërdecit. Prokuroria prej javësh ka kërkuar heqjen e imunitetit të tij për t‘i hapur rrugë hetimit të çështjes, pasi deputeti Mediu akuzohet për shpërdorim detyre. Aktualisht, Kuvendi nuk është shprehur nëse do t‘ia heqë apo jo imunitetin, pasi Topalli ndodhet prej gati një jave jashtë vendit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›