Topi dhe Sejdiu inspektojnë autostradën “Durrës-Kukës”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, inspektuan dje punimet në Urën e Repsit, pjesë e autostradës “Durrës-Kukës”. Të dy presidentët u pritën nga kryetari i Komunës së Repsit, Aleksandër Lalaj, deputeti i zonës, Gjovalin Prenga dhe nga administrues të lartë të “Bechtel-Enka”. Në qendër të Komunës së Repsit, të dy presidentët u mirëpritën në një atmosferë festive edhe nga banorë të zonës dhe punonjës të ndërtimit të kësaj arterie të rëndësishme lidhëse mes Shqipërisë dhe Kosovës. Presidenti Topi e cilësoi ndërtimin e kësaj rruge realizimin e ëndrrës së shqiptarëve për të lidhur Shqipërinë me Kosovën. “Kjo pa dyshim është pjesë e asaj që e kemi konsideruar ëndërr shqiptare, të cilën e shikojmë çdo ditë që po realizohet dhe shumë shpejt do të kemi një rrugë të përfunduar, një rrugë që do të lidhë jo vetëm Shqipërinë me Kosovën, por një rrugë që do të japë mundësi të jashtëzakonshme zhvillimi e komunikimi, në radhë të parë komunikimi njerëzor, komunikimi në botën e biznesit”, është shprehur Topi. Ndërsa Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e cilësoi ndërtimin e autostradës realizimin e dëshirës së presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.
5 Nentor 2008