E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI, PSD dhe PAD: Jemi kundër PS-së për sistemin proporcional rajonal



Partitë e vogla të opozitës u mblodhën dje në një tryezë të përbashkët për të diskutuar rreth reformës zgjedhore dhe kryesisht rreth sistemit zgjedhor që do të përdoret në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Ftesës së bërë nga kryetari i PDS-së, Paskal Milo, për mbledhjen e tryezës së kryetarëve të opozitës i janë përgjigjur vetëm kreu i LSI-së Ilir Meta dhe kreu i PAD-së Neritan Ceka, ndërkohë që në takim ka munguar kryetari i PS-së, Edi Rama dhe kryetari i PSD-së Skënder Gjinushi. Propozimet e bëra nga Partia Socialiste, të paraqitura në formën e një nisme për ndryshimin e Kushtetutës për sistemin zgjedhor ka qenë tema kryesore e takimit të djeshëm të kryetarëve të LSI-së, PSD-së dhe PAD-së si dhe deputetëve përfaqësues të tyre. Duke dënuar veprimet e Partisë Socialiste lidhur me reformën zgjedhore Meta e Ceka vunë shenjën e barazisë mes Ramës dhe kryeministrit Berisha. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, tha: “Ne kërkojmë largimin e Berishës dhe jo instalimin e dy Berishave në vitin 2009”, - tha Meta. Për aleatët e dikurshëm të PS-së kjo parti ka tradhtuar të majtën lidhur me reformën zgjedhore. Në mungesë të dialogut me Partinë Socialiste dhe të një tryeze të plotë të opozitës, tri partitë kundërshtuese të sistemit proporcional rajonal deklaruan se nuk do të lejojnë miratimin në Kuvend të deformimit të Kushtetutës. Ndërkaq, kryetari i PDS-së, Paskal Milo, e konsideroi propozimin e paraqitur nga PS-ja për reformën zgjedhore si veprim të nxituar dhe të pakonsultuar me partitë aleatë të opozitës. Duke u ndalur te mospjesëmarrja e dy partive, PS dhe PSD në tryezë, zoti Milo tha se “ne do të vazhdojmë të punojmë edhe pse mungojnë dy parti të tjera do të punojmë dhe do të përpiqemi të arrijmë në një qëndrim të përbashkët, të cilin do ta mbrojmë deri në fund me të gjitha mjetet ligjore, institucionale. Jemi këtu për të afirmuar vullnetin tonë politik që do të vazhdojmë përpjekjet së bashku dhe me subjekte të tjera të së djathtës, të cilat kanë të njëjtin qëndrim me ne”, - tha Milo.

10 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›