Tri vitet e fundit janë ndëshkuar 128 policë për ushtrim dhune
Tiranë - Në tri vitet e fundit janë ndëshkuar për ushtrim dhune 128 policë. Shifra është bërë publike dje në një tryezë pune mes drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit dhe Avokatit të Popullit. Ministria e Brendshme dhe institucioni i Avokatit të Popullit organizuan një tryezë të rrumbullakët me temë “Bashkëpunimi i Avokatit të Popullit dhe Policisë së Shtetit-Garanci për funksionimin e shtetit ligjor dhe respektimin e të drejtave të njeriut”. Ministri i Brendshëm Bujar Nishani u shpreh në takim se Policia e Shtetit gjatë tre viteve të fundit krahas përmirësimit të standardeve të sigurisë ka shënuar një progres të dukshëm edhe në respektimin e të drejtave të njeriut.
Ligji i ri për Policinë e Shtetit mbart frymën e shndërrimit të saj nga një forcë policore në shërbim policor dhe është e rëndësishme që parashikimet e ligjit të implementohen dhe zbatohen në praktikë. “Krijimi i një legjislacioni, i cili përcakton në mënyrë të qartë e strikt fushën e veprimtarisë ligjore të instrumenteve të zbatimit të ligjit për Policinë e Shtetit, i jep mundësi kësaj të fundit që nëpërmjet instrumenteve të saj të sigurojë rendin publik, të luftojë krimin e korrupsionin dhe nga ana tjetër në tërë këtë veprimtari të sigurojë mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut,-tha Ministri Nishani. Ministri i Brendshëm theksoi gjithashtu se në bazë të parashikimeve të legjislacionit është riorganizuar struktura e Policisë së Shtetit, jo vetëm në departamentet përkatëse por edhe në zyrat e shërbimeve konkrete në terren për ofrimin e ndihmës nga punonjësi i policisë në çdo moment kur rendi e siguria e qytetarit kërcënohet dhe ndërkohë nëpërmjet instrumenteve përkatës si Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kontrollohet si zbatohet ky legjislacion. Në këtë tryezë të rrumbullakët u diskutua mbi rolin e njësive të institucionit të Avokatit të Popullit për parandalimin e torturës dhe njohjen e këtij roli nga policia, sfidat dhe bashkëpunimin për zgjidhjen e tyre, përdorimin e forcës si veprim ligjor dhe tejkalimin e saj në formën e dhunës që është e dënueshme, procedurat e shoqërimit të shtetasve sipas ligjit të ri për Policinë e Shtetit dhe shkeljet e konstatuara.
Ishte në kërkim prej 5 muajsh për shitje të narkotikëve, arrestohet
Tiranë – Ishte në kërkim arrestohet Artur Doka, 44 - vjeç, lindur e banues në Elbasan. Prangosja e tij u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë kishte dhënë masën e sigurisë “Arrest në Burg”. Bazuar në Vendimin Penal Nr. 1134/1, datë 23.05.2008, Doka akuzohet për veprat penale të “Prodhimit dhe shitjes së narkotikëve në bashkëpunim” si dhe të “Prodhimit dhe fabrikimit të lëndëve narkotike dhe psikotrope”, parashikuar nga nenet 283/2 dhe 284/c të Kodit Penal. Ky shtetas u kap, falë grumbullimit të saktë informacioneve mbi vendndodhjen e tij pasi ishte shpallur person në kërkim afro 5 - muaj më parë. U ekzekutua vendimi i Gjykatës për këtë shtetas.
Vodhi dyqanin e armëve të gjahut, ndalohet 32 - vjeçari
Tiranë - Seksioni Kundër Vjedhjeve ndaj Biznesit realizoi arrestimin në flagrancë të shtetasit Ilir Sinani, 32 - vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë. I sipërpërmenduri akuzohet për konsumim të veprës penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”, parashikuar nga nenet 134 dhe 25 të Kodit Penal. Arrestimi i tij u krye sepse dje dyshohet se në bashkëpunim me një shtetas tjetër, kanë vjedhur në Bulevardin “Zogu I”, dyqanin e armëve të gjahut “ARMS SB”, në pronësi të një shtetasi. Në cilësinë e provës u sekuestruan katër armë gjahu (teke) tip - shotgan. U kryen veprimet procedurale, ndërsa po punohet për kapjen bashkautorit tjetër të kësaj vjedhje. Materialet e përpiluara i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për hetime të mëtejshme.
I mituri i vjedhjeve të panumërta identifikohet edhe si autor i vjedhjeve të shtëpive
Tiranë - U dokumentua tërësisht implikimi i të miturit M. C., 11 - vjeç, në vjedhjen e shumës së parave 300 000 lekëve në ambientet e banesës së një shtetasi, e ndodhur në Sauk. Nga puna hetimore e bërë nga seksioni Kundër Vjedhjeve të Tjera rezultoi se autor dyshohet të jetë i mituri M. C. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë, për të bashkëlidhur të gjitha procedimet e kryera prej tij.
Aksident në Itali, 4 shqiptarë në gjendje kritike për jetën
Katër shqiptarë janë plagosur në Itali, si pasojë e një aksidenti të rëndë që ka ndodhur dy ditë më parë në rrugën për në Robeko. Shqiptarët qe udhëtonin me një makinë tip “Seat”, janë përplasur me një makinë tjetër e cila hyri në rrugë pa respektuar rregulloren. Një grua 45 vjeçe ka pësuar një traumë në kokë dhe është transportuar me urgjencë në një spital të Milanos, me ndihmën e një helikopteri. Të plagosur janë dhe drejtuesi i makinës një 24-vjeçar, një vajzë 8 vjeç dhe mamaja e saj. Në aksident është plagosur dhe kushërira e tyre që kishte shkuar në Itali për pushime. Policia ende nuk ka bërë të ditur emrat e shqiptarëve të aksidentuar.
11 Tetor 2008