E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjaku: Intelektualët s’kanë kuptuar Tartufin



Pas polemikave që shpërthyen në Kosovë për shfaqjen e Molierit, “Tartufi”, të vënë në skenë nga regjisori Rahim Burhan, trupa e Teatrit Kombëtar të Prishtinës vjen dhe tregon “suksesin” në Tiranë. Por detyrimisht aktorët e Kosovës dje janë gjendur përballë presionit të pyetjeve mbi regjisorin, që mungonte. Të vëmendshëm dhe në linjë paralele me ndjeshmërinë mediatike që ka pasur edhe në Kosovë kjo shfaqje, sidomos për ndryshimet që regjisori Burhan i ka bërë për ta adaptuar me mentalitetin shqiptar, aktori Bajrush Mjaku është përgjigjur me qetësi: “Për çdo ndryshim që i është bërë veprës klasike të Molierit, jemi marrë vesh me regjisorin”

Pas polemikave që shpërthyen në Kosovë për shfaqjen e Molierit, “Tartufi”, të vënë në skenë nga regjisori Rahim Burhan, trupa e Teatrit Kombëtar të Prishtinës vjen dhe tregon “suksesin” në Tiranë. Por detyrimisht aktorët e Kosovës dje janë gjendur përballë presionit të pyetjeve mbi regjisorin, që mungonte.

Të vëmendshëm dhe në linjë paralele me ndjeshmërinë mediatike që ka pasur edhe në Kosovë kjo shfaqje, sidomos për ndryshimet që regjisori Burhan i ka bërë për ta adaptuar me mentalitetin shqiptar, aktori Bajrush Mjaku është përgjigjur me qetësi: “Për çdo ndryshim që i është bërë veprës klasike të Molierit, jemi marrë vesh me regjisorin”. Mjaku ka qenë ndoshta përfaqësuesi më serioz për të kthyer kuriozitetin mediatik në një argument bindës pse kjo shfaqje ka ndërruar destinacionin dramaturgjik, nga komedi në dramë, si dhe transformimi konceptual i regjisorit, për të na dhënë mesazhin e hipokrizisë si destinacion primar - religjionin.

Mjaku ka treguar për mediat në Shqipëri se për ta shndërruar Tartufin e krishterë të Molierit në një Tartuf mysliman - si shenjë adaptuese me besimin që kanë shqiptarët e Kosovës - ka bërë marrëveshje me regjisorin duke gjetur gjuhën e përbashkët për mesazhin e veprës.

Edhe pse në mungesë të regjisorit dhe asistentit të tij, përfaqësuesit e shfaqjes, aktorët dhe drejtori i Teatrit Kombëtar të Prishtinës iu rikthyen edhe një herë debateve të ashpra të hapura nga mediat kosovare, pas interpretimit. Duket që artdashësit e Kosovës nuk e kanë pranuar nivelin regjisorial dhe autorial të veprës së Molierit, sjellë në skenën e teatrit të Prishtinës disa muaj më parë. E për këtë, pjesëmarrësit e djeshëm janë mundur të justifikohen, madje duke hedhur poshtë analizimet mediatike të Kosovës, që kanë bërë të ditur se niveli i tyre skenik është i dobët, madje dështak. Nga ana e tyre, kritikët janë cilësuar joprofesionistë, madje edhe intelektualë në thonjëza. “Ata të ashtuquajturit intelektualë nuk e kanë kuptuar mesazhin e vërtetë të veprës, ndaj kanë shkruar kundër shfaqjes”, - është shprehur aktori Bajrush Mjaku.

Ndërsa drejtori i TK së Prishtinës, Arjan Krasniqi, është shprehur se “ky është debati më i madh i dhjetë viteve të fundit të ndodhur në skenën e Teatrit Kombëtar të Prishtinës sa i përket konceptit regjisorial të veprës”. Ai ka dhënë disa arsye për të cilat mendon se kanë qenë shkaku i ndezjes së këtij debati. “Fabula e veprës së Molierit nuk është prekur në shfaqje, gjë që ka shkaktuar përplasje në media, si dhe origjina e vërtetë e regjisorit”, - tha Krasniqi, duke na lënë të kuptojmë se prejardhja e regjisorit Burhan është rome.

Këtë çështje e ka prekur edhe aktori që interpreton personazhin kryesor të shfaqjes, Bajrush Mjaku, duke shprehur keqardhje se analizuesit e kanë komentuar shfaqjen edhe nga pikëpamja raciste. “Ai është cigan, por nuk më vjen aspak mirë që njerëzit e shohin punën e tij edhe në këtë prizëm. Në këtë rast ne kemi të bëjmë më tepër me artist të një kalibri të madh”, - ka thënë Mjaku.

E reja e “Tartufit” kosovar është se kopraci nuk ishte i krishterë, siç është në origjinalin e komedisë së Molierit, por mysliman, i veshur në petka të gjelbra. Ndërsa vetë Tartufi i versionit shqiptar na sjellë pak histori se si e ka përjetuar mesazhin që përcjell kjo vepër që në moshë të njomë. “Unë Tartufin e mbaj mend që në fëmijërinë time, kur hoxha mbante ligjërata në fshatin tim. Ai thoshte se gjithnjë duhet të bëni çfarë të them unë, por mos bëni çfarë të bëj unë. Kjo është një dramë njerëzore shumë e madhe. Shpresoj të merret një mësim në këtë shfaqje, pasi ajo vjen aktuale, dhe koncepti i saj do të mbetet i tillë edhe në kohët të tjera, në të ardhmen. Na peshon hipokrizinë në mënyra të ndryshme”. Ndërsa është pyetur se ku qëndron origjinaliteti dhe individualiteti i aktorit, pjesa e adaptimit shqiptar në rolet e “Tartufit”, ai nuk ka dhënë një përgjigje të plotë, duke na lënë të shpresojmë që ndoshta pas shfaqjes do të na bindë më tepër. Duke përcjellë konceptin e regjisorit, trupa e aktorëve ka shpjeguar dje se përmbajtja e shfaqjes është transformuar duke u përshtatur me hipokrizinë, dyfytyrësinë, por edhe pse na thotë se është përshtatur me skenë tonë. Një prej tyre, ndoshta më i riu, Bekim Guri, thotë se “hipokrizia nuk ka të bëjë me Kosovën, pasi regjisori e ka parë shfaqjen në rrafsh tjetër, në një konfeksion mysliman”. Edhe kësaj here, sipas një praktike mjaft të përhapur kohëve të fundit, teksti origjinal do të vihet në skenë i shkurtuar dhe i përshtatur, punë që regjisori Rrahim Burhani e ka bërë në bashkëpunim edhe me aktorët e trupës. “Tartufi” është nga shfaqjet më të kushtueshme që është vënë ndonjëherë në skenën e Teatrit të Kosovës, për të cilën është hedhur një shumë prej 40 mijë eurosh. Kjo shfaqje vjen në kuadër të muajit të kulturës Shqipëri-Kosovë, ku veç kësaj, së shpejti TK do të hapë dyert edhe për një tjetër shfaqje të Teatrit Kombëtar të Prishtinës.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›