“Ndryshimi” si arritje dhe alternativë e Berishës
Katër vjet shumë pak besonin se kjo mazhorancë do të arrinte deri në fund të mandatit të sajë qeverisës kaq kompakte e funksionale sa e shohim sot. Skepticizmi ishte i argumentuar për shkak të numrave të shtrënguar të kartonëve në Parlament, si dhe të diversitetit politik e individual që mbartnin partitë në koalicion dhe lidershipët e tyre. Natyrisht që merita kryesore e suksesit të kësaj ndërmarrjeje nga më të vështirat në historinë e shkurtër të pluralizmit politik në Shqipëri i takon shefit të mazhorancës, Kryeministrit Berisha. Berisha ka meritën të ndërtojë dhe drejtojë me sukses një nga mazhorancat më delikate që nga viti 1991, duke arritur me të një sukses qeverisës qartësisht të avancuar me qeveritë apo mazhorancat paraardhëse. Nëse kthehemi pak mbrapa në kohë, të gjitha qeveritë që nga ‘91 kanë qeverisur të sigurta falë mazhorancave absolute të siguruara në zgjedhje. Koalicionet e tyre kanë qenë sa fiktive, aq edhe të panevojshme, pasi partitë kryesore i kanë pasur të gjitha mundësitë kushtetuese të qeverisin të vetme. Qeveria apo mazhoranca “Berisha” është rasti i parë ku Shqipëria është qeverisur nga një koalicion real, një provë kjo tashmë e kaluar me sukses.
Mirëpo cilat janë sekretet apo arsyet e funksionimit të mazhorancës “Berisha”?
Janë shumë, por unë dua të përqendrohemi në atë që besoj se ka qenë më i qenësishmi, ndryshimi. Por pa dyshim barra kryesore e qeverisjes i ka takuar partisë më të madhe të mazhorancës, PD-së. Pas katër vjetësh është sërish ajo që do t’u drejtohet shqiptarëve për votën, duke u ballafaquar me ta pikërisht më atë që iu premtoi para katër vjetësh: “Ndryshimin”. Por si ka ecur ky proces për katër vjet brenda PD-së? Cilat janë arritjet dhe sfidat e tij? Për këtë do përpiqemi të diskutojmë sot së bashku, ndërkohë që besoj se ky diskutim do të jetë edhe në qendër të dialogut të PD-së me elektoratin deri në ditën e zgjedhjeve, më 28 qershor.
Suksesi “Made in KOP”
Hapja drejt ideve, vlerave dhe individëve dhe seleksionimi, respektimi dhe sidomos implementimi i tyre në politikë dhe qeverisje, përbën një sukses më vete të PD-së si partia kryesore e qeverisjes dhe liderit të saj, Sali Berisha. Kjo hapje nisi natyrisht shumë më shpejt se krijimi i koalicionit dhe ishte pa dyshim një nga “asetet” parësore politiko-elektorale që çoi në fitoren e zgjedhjeve të 2005-ës. KOP-i (Komiteti i Politikave Orientuese), i krijuar përpara zgjedhjeve të kaluara nga lidershipi i PD-së përbën ndoshta momentin më sinjifikativ të rolit të hapjes në fitoren e zgjedhjeve. Personalisht kam qenë nga më skeptikët për suksesin e tij, por sot më vjen mirë që atëherë e kam pasuar “gabim”. Në fakt, mendimi im skeptik ndikohej nga pjesa e njohur publikisht e anëtarëve të KOP-it, që përgjithësisht rezultoi e vërtetë, pasi pak apo aspak prej tyre ishin pjesë e produktit apo suksesit të sotëm të tij. Individë deri atëherë të panjohur për publikun dhe sidomos politikën shqiptare spikatën me personalitetet dhe vlerat e tyre dhe janë sot një pjesë e rëndësishme e politikës së PD-së, mazhorancës dhe krejt politikës shqiptare. Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj, Majlinda Bregu, Aldo Bumçi e të tjerë janë pa dyshim një prodhim sasior dhe cilësor, përtej parashikimit, të KOP-it si pjesë e politikës së hapjes të aplikuar nga Berisha. Më thoni një tjetër organizëm apo iniciativë politike që në një periudhë kaq shkurtër ka realizuar një produkt dhe sukses të tillë. Suksesi me KOP-in nuk ishte vetëm prodhimi, por sidomos implementimi i natyrshëm i tij në politikën dhe strukturat e PD-së, provë kjo e luajalitetit dhe tolerancës e demokracisë që mbart në vetvete ky forum politik. Me pak fjalë, politika “made in KOP-i” përbën një sukses politik e elektoral me përmasa përtej interesave të PD-së dhe krejt të djathtës shqiptare. Ky është tashmë edhe një standard i ri i politikës, ku vlerat politike, morale e profesionale janë kritere parësore të suksesit politiko-elektoral, si për partitë, ashtu edhe për individët. Një standard, “patenta” e të cilit i takon pa dyshim Berishës.
Por hapja ndaj vlerave nuk u mjaftua vetëm me KOP-in. Ardhja në qeverisje krijoi mundësinë e shtrirjes së kësaj përvoje edhe në administratë. Qeveria “Berisha” hapi dyert për dhjetëra djem e vajza të talentuar, brenda dhe jashtë vendit, vlerat, edukimi dhe profesionalizmi i të cilëve u vlerësua nga lidershipi i saj. Kjo soli implementimin në pika kyçe të administratës të dhjetëra ekspertëve të shkolluar në Perëndim, që sollën në qeverisje filozofinë dhe praktikat e vendeve ku u shkolluan dhe punuan. Individë të spikatur si Albana Vokshi, Gjergji Bojaxhi, Grid Roji, Edith Harxhi etj., janë sot një potencial intelektual e profesional, i gatshëm për të përballuar çdo sfidë politike e elektorale dhe për të marrë përsipër projektin e ardhshem qeverisës të PD-së . Si konkluzion, ai ndryshim që zoti Berisha u ofroi, u realizoi e u garantoi shqiptarëve, erdhi pikë së pari si ndryshim i vetë PD-së dhe mazhorancës.
Projekti vazhdon
Mirëpo siç kuptohet edhe nga vetë slogani elektoral i PD-së, duket se ndryshimi me gjithë suksesin e garantuar do të vazhdojë. Sfida e z. Berisha në këto zgjedhje është pa dyshim përshtatja e klasës politike, por edhe administratës me realitetin apo standardin e ri të Shqipërisë. Anëtarësimi në NATO dhe kandidimi për në BE detyron një shkëputje të politikës, por edhe vetë shoqërisë nga e kaluara kriminale komuniste. PD-ja si forca më e madhe demokratike e antikomuniste e vendit ka marrë me të drejtë rolin e pararojës në këtë proces. Vetë prurjet që përmendëm më lart, implementimin në strukturat politike të saj, individë, lidhjet e të cilëve me të kaluarën janë të papërfillshme, për të mos thënë inekzistente. Nuk e kam fjalën vetëm për lidhjet fizike apo gjenetike, por edhe për ato psikologjike e sidomos filozofike e politike. Nëse ka pjesë të PD-së që nuk mund ta akuzosh për reminishenca të së shkuarës, është kjo që zoti Berisha solli si pjesë e projektit të tij të ndryshimit. Ndryshimi indirekt është kthyer në një proces pastrimi në PD. Prurjet e reja, ashtu si uji i pastër, zunë vendin e tyre duke shtyrë jashtë “ujin e ndenjur”, por edhe mbetje të tjera, që për arsye nga më të ndryshmet kishin ngecur në PD. Ajo që vlen të theksohet në këtë proces vetëpastrimi është normaliteti me të cilin baza dhe elektorati e pritën këtë ndryshim. Natyrisht si çdo proces, edhe ky i ndryshimit ka vështirësitë e veta. Krahas suksesit, projekti i z. Berisha ka pasur edhe dështime. Megjithatë, askush nuk mund të gjejë qoftë edhe një moment mungese të vullnetit politik të lidershipit për t’i korrektuar ato. Por nuk duhet të harrojmë as faktin që ky proces nisi në kushte politike tërësisht të pafavorshme, pasi shumë nga rregullat në fazën e parë të tij, zgjedhjet e 2005-s, u detyruan nga kushtet e vështira politike e elektorale, të detyruar nga loja e pandershme e kundërshtarëve politikë atëherë në pushtet.
Në këtë këndvështrim pritet mandati i dytë qeverisës, që zoti Berisha duket se e ka të siguruar, projekti i tij i ndryshimit të marrë formë të plotë. Janë të gjitha mundësitë që mazhoranca e djathtë t’i ofrojë elektoratit shqiptar një alternativë elektorale nga më të plotësuarat. Natyrisht që burimet njerëzore të ofruara për votim kanë një rëndësi specifike për suksesin në zgjedhje. Rëndësi të veçantë ka gjithashtu edhe përfaqësimi politik i PD-së në qendër e bazë, ndryshimi i të cilit është i mundur në procesin e brendshëm zgjedhor që vazhdon. Ligji i ri zgjedhor detyron kujdes të jashtëzakonshëm në imazhin dhe vlerat moralo-politike të përfaqësuesve qendrorë e lokalë të partive politike.
Si përfundim, pritet që projekti i ndryshimit të jetë edhe në këto zgjedhje baza e fitores së paralajmëruar të PD-së. Janë të gjitha gjasat që listat e kandidaturave që pritet t’i paraqiten elektoratit të jetë nga më elitaret dhe me shumë surpriza . Mundësitë për këtë nuk mungojnë, ndërkohë që lidershipi i mazhorancës e ka deklaruar publikisht vullnetin e tij politik për një zhvillim të tillë. Nuk besoj se gjendet konkretizim më i madh i sloganit “Shqipëria po ndryshon”, sesa një ndryshim i realizuar më parë tek përfaqësimi politik e elektoral i PD-së, një projekt që duket se nuk ka shanse të ndalojë.