E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjediset e përbashkëta, debate për ligjin

Shumica dhe opozita debatuan dje në Komisionin e Çështjeve Ligjore lidhur me projektligjin për administrimin e objekteve të përbashkëta në ndërtesat e banimit. Nëpërmjet këtij projektligji të propozuar nga Ministria e Transporteve, qeveria përcakton të drejtat dhe detyrimet që qytetarët kanë për objektet e përbashkëta të banimit me më shumë se një pronar. Në draft thuhet se banorët e çdo pallati duhet të zgjedhin asamblenë dhe të caktojnë një administrator, i cili do të kujdeset për mirëmbajtjen e objekteve të përbashkëta. Parimisht, deputetët e Komisionit të Ligjeve janë shprehur pro këtij projektligji, por opozita nëpërmjet relatorit të saj, Besnik Dervishi, theksoi se drafti i qeverisë ka nevojë për përmirësime, pasi nuk janë marrë parasysh disa marrëdhënie rregullatore të rëndësishme ndërmjet tyre. Në relacionin e tij, deputeti Dervishi evidentoi shtatë çështje të cilat nuk gjejnë zgjidhje në këtë projektligj. Dervishi thotë se nuk gjen zgjidhje "statusi" i territorit të mbetur jashtë koeficientit të shfrytëzimit te ndërtimet pas vitit 1993, dhe nëse do të regjistrohet në aktin e bashkëpronësisë ky territor sa do të jetë masa e detyrueshme për regjistrim. Sakaq, nuk gjen zgjidhje mënyra se si do të administrohet hapësira e përbashkët, të cilat shfrytëzohen nga ish-pronarët. PS mendon se pa zgjidhje janë edhe objektet dhe ambientet në banesat kolektive që janë në proces legalizimi, por nuk plotësojnë kushtet ligjore për legalizim. Një tjetër pikë e dobët do të jetë mos konstituimi i asamblesë dhe moskoordinimi për zgjedhjen e administratorit nga banorët. Në projektligj, theksoi Dervishi nuk janë përmendur objektet e monumenteve të kulturës, të cilat duhet të ishin trajtuar në mënyrë të veçantë bazuar në legjislacion. Gjithashtu, nënvizoi deputeti i PS-së, sipas dispozitave të këtij projektligji, ligjërohet dhe shfrytëzimi i objekteve të ndërtuara rishtazi pa u pajisur me lejet e nevojshme të shfrytëzimit. Në relacionin e tij, Dervishi jep edhe shtatë çështje të cilat gjejnë zgjidhje të pjesshme në këtë projektligj. Opozita përcakton edhe çështjet të cilat gjejnë zgjidhje, por që mungojnë instrumentet financiare për zbatimin e tyre. Propozimet e bëra nga deputeti i PS-së nuk janë marrë parasysh nga Komisioni i Ligjeve, i cili me votat e mazhorancës ka miratuar shtatë nenet e para të tij nga 45 që ka drafti gjithsej. Në projektligj përcaktohet që çdo asamble do të përgatisë në fillim të vitit një paketë administrative, ku përcaktohet tërësia e shërbimeve për mirëmbajtjen dhe administrimin e pronës së përbashkët, si dhe kosto përkatëse. Në paketë përfshihen, sigurimi i bashkëpronësisë, shërbimet e pastrimit të shkallëve të brendshme, remontet e ashensorit, pagesat për mbrojtjen nga zjarri, mirëmbajtja e mjediseve të brendshme, fasadave etj. Tarifat për këto shërbime përcaktohen nga asambleja dhe do të paguhen nga qytetarët, që banojnë në ndërtesën e banimit. Kjo është kundërshtuar nga deputeti Bashkim Fino, i cili i kujtoi mazhorancës se dëshira e qytetarëve është për të zbatuar këtë ligj, por mundësitë e tyre financiare janë të pakta. Ligji e ka përcaktuar tarifën si një titull ekzekutiv dhe nëse ndonjë banor kundërshton pagimin e saj, atëherë ajo ekzekutohet nga Përmbarimi duke marrë një objekt nga shtëpia e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›