Ish të përndjekurit, sot projektligji në Kuvend
Kuvendi pritet të diskutojë dhe të miratojë sot disa ndryshime në projektligjin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë. Nisma ligjore është depozituar nga deputeti i PD-së, Astrit Bushati dhe është debatuar mjaft në Komisionin e Ligjeve, duke kaluar për në Kuvend vetëm me votat e mazhorancës. Ndryshimi që kërkon të bëjë mazhoranca është dëmshpërblimi i ish të përndjekurve politikë edhe në rastin kur ata nuk jetojnë më dhe në këtë rast ligji parashikon që dëmshpërblimin ta marrin familjarët e të ndjerit qofshin këta fëmijët e tij, motrat, vëllezërit apo prindërit. Në parim, opozita është shprehur pro këtij projektligji apo neni, i cili i ka ndarë përfundimisht në fund të miratimit të tij ka qenë neni 4. Aty kërkohet që pjesë e dëmshpërblimit të jenë dhe ata persona të cilët janë ekzekutuar pa gjyq para 1944-ës. Për mazhorancën, rëndësia synon të zgjidhë në mënyrë integrale problematikën e dalë nga zbatimi i ligjit dhe rivendosjen e së drejtës për kategori të përjashtuara nga përfitimi, sipas parimit të barazisë para ligjit. Ky projektligj i jep zgjidhje pamundësisë për t‘u materializuar dëmshpërblimi për ish të dënuarit që nuk kanë lënë pasardhës në linjë të drejtpërdrejtë, duke e zgjeruar rrethin e përfituesve te vëllezërit dhe motrat, si dhe fëmijët e tyre. Në këtë formë krijohet mundësia e përfitimit edhe për familjarët e klerikëve. Por nga Ministria e Financave nuk është dhënë deri më tani një shifër sesa do të jetë kostoja e këtij projektligji dhe zgjerimit të rrethit të familjarëve. Por dje, burime nga kjo ministri bënë të ditur se ende nuk është bërë ndonjë përllogaritje, gjithçka do të mbetet në dorën e ministrit në seancën e sotme parlamentare. E.Gj.