"Poli i Lirisë", pa Ngjelën dhe Bakallin
Tri parti të djathta të mbetura jashtë koalicionit të Partisë Demokratike kanë firmosur dje marrëveshjen zyrtare për krijimin e ‘Polit të lirisë‘. Surpriza e këtij grupimi ishte mospjesëmarrja e deputetëve Spartak Ngjela dhe Gilman Bakalli. I kontaktuar nga "Shqip", deputeti Bakalli konfirmoi se "Partia Ligj dhe Drejtësi" nuk do të jetë pjesë e këtij grupimi për shkak të mospërputhjes së programit. Duket se tentativat e këtij koalicioni të ri zgjedhor për të shkuar në votime bashkë me PD-në dhe mospërputhjet për kandidatët e Tiranës kanë shkaktuar krisjen reale me Ngjelën e Bakallin. Koalicioni më i ri për zgjedhjet e 28 qershorit përbëhet nga Partia Demokristiane, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar dhe Partia Bashkimi Demokrat. Në emër të subjekteve pjesëmarrëse në koalicion, kryetari i LZHK, Dashamir Shehi, lexoi deklaratën e përbashkët të marrëveshjes. Sipas tij, "Poli i Lirisë" është një koalicion i partive politike të spektrit politik që pozicionohen nga qendra në të djathtë, kanë programe politike të përafërta dhe angazhohen për të paraqitur në zgjedhjet e 28 qershorit alternativën e tyre si koalicion. Partitë pjesëmarrëse në koalicion angazhohen për një fushatë zgjedhore qytetare të drejtë dhe konstruktive, barazi të shanseve të secilës parti pjesëmarrëse në koalicion gjatë fushatës elektorale. Të tria partitë do të kenë një program të përbashkët politik me parimet e reformave kryesore. Sipas kreut të LZHK-së, ky program synon nxjerrjen e vendit nga kriza dhe përmbushjen e standardeve për integrimin e vendit në BE. "Partitë e vjetra në këto tetëmbëdhjetë vjet krijuan demokracinë e kryetarëve të partive dhe të klaneve të tyre, demokracinë e ‘klaneve të Bllokut‘, duke dhunuar dhe uzurpuar liritë tona politike dhe ekonomike, të ardhmen tonë evropiane", tha Shehi, duke shtuar se dy partitë, që kanë qeverisur vendin në këto vite, kanë dështuar në ndërtimin e shtetit ligjor dhe në ndërtimin e institucioneve të pavarura. E.Ajazi