E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, krimi në nivele më të ulëta këtë vit

Viti 2009 ka shënuar ulje të nivelit të krimit në Qarkun e Kukësit. Gjatë këtij viti janë regjistruar 306 vepra penale, nga të cilat rreth 260 janë arritur të zbardhen dhe kapen autorët. Nga rreth 300 autorë të implikuar 80 prej tyre janë arrestuar, 170 ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa 25 prej tyre janë shpallur në kërkim etj. Statistikat kanë dalë në analizën vjetore të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës. Në analizë morën pjesë drejtues të lartë të policisë, si dhe zv/drejtori i përgjithshëm, Rasim Borishi. Raportin mbi punën e bërë dhe detyrat që dalin për vitin në vijim e mbajti nëndrejtori i policisë së Qarkut të Kukësit, Xhafer Elezi. Në takim u evidentuan rezultatet e arritura, ku u përmend menaxhimi i fushatës elektorale të 28 qershorit, sigurimi i rendit gjatë procesit të votimi, si dhe të numërimit të votave, proces që kaloi pa incidente. Tjetër arritje u konsiderua dhe sigurimi i rrugëve nacionale dhe përballimi i fluksit të madh të lëvizjes së mjeteve gjatë sezonit turistik, ku në aksin Kukës-Tiranë udhëtuan më shumë se gjysmë milioni turistë. Në raport iu kushtua vlerësim i posaçëm edhe bashkëpunimit të policisë me faktorët vendorë, që siç tha Elezi, kanë qenë shumë pozitive. Një vend i posaçëm iu kushtua edhe luftës kundër krimit të organizuar, drogës dhe kontrabandës në tërësi. Në raport u tha se gjatë vitit 2009 policia e Qarkut të Kukësit ka arritur të zbulojë dhe asgjësojë disa mijëra rrënjë kanabis sativa në parcelat e bjeshkëve të Tropojës dhe Hasit, si dhe të vërë në pranga një numër autorësh si përgjegjës për veprat e kontrabandës së mjeteve motorike nga Kosova në Shqipëri dhe anasjelltas. U nënvizua gjithashtu bashkëpunimi me strukturat e policisë së kufirit, si dhe me policinë e Kosovës, bashkëpunim i cili në shumë raste ka qenë vendimtar për kapjen e autorëve të kërkuar për veprave të ndryshme penale. Në analizë u përkujtuan me 1 minutë heshtje edhe dy efektivët e vrarë në fillim të vitit 2009 në Shënmri të Kukësit.

Su. Di.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›