Mjekësia Ligjore: “Të hënën raporti për vdekjen e pacientit nga Korça”
TIRANË - Instituti i Mjekësisë Ligjore është duke hartuar raportin përkatës mbi shkaqet e vdekjes pak ditë më parë të pacientit nga Korça, Sotiraq Naumi. Specialistë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore pohuan të premten se konkluzionet e ekspertizës mjeko- ligjore të viktimës do të dalin brenda javës së ardhshme. Sipas këtyre burimeve, në përfundim të ekspertizës raporti do të referohet më pas për shqyrtim në organin e prokurorisë. Vdekja e këtij shtetasi është bërë shkak për hapjen e një hetimi nga Prokuroria e Tiranës, pasi dyshohet se kemi të bëjmë me një mjekim të pakujdesshëm. Sipas të dhënave hetimore, Sotiraq Naumi, i cili vuante nga një sëmundje, ishte trajtuar në Spitalin e Korçës deri sa gjendja shëndetësore erdhi duke u përkeqësuar dhe ai u transportua në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku dhe ndërroi jetë pak ditë më parë. Për llogari të hetimeve për këtë çështje është sekuestruar edhe kartela mjekësore e këtij shtetasi. Ndërkohë që nën hetim është marrë edhe mjeku që trajtoi ketë shtetas deri në sqarimin e plotë të ngjarjes.
30 Gusht 2008