E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët: Duam status dhe siguri, ndryshe ndërpresim punën

Operacionet e planifikuara, konsultat dhe puna normale e një fillimjave në spital do të ndërpritet në mënyrë të vazhdueshme. Protestat e mjekëve të QSUT-së nuk do të ndalen, madje do të përshkallëzohen edhe më tej. Dje, në urgjencën kirurgjikale, bluzat e bardha kanë protestuar në mënyrë paqësore dhe pa dhënë asnjë deklaratë zyrtare për shtyp. Kjo protestë e heshtur, sipas mjekëve, është fillimi i një paralajmërimi për vazhdimin e ankesave të bluzave të bardha dhe në mënyrë të veçantë e mjekëve të qendrës më të madhe spitalore në vend. "Nëse nuk do të ketë reagim nga politika, atëherë ne do të vazhdojmë protestat edhe më intensivisht. Nuk përjashtojmë faktin se bashkë me ne do të bashkohen edhe lëvizjet studentore të Fakultetit të Mjekësisë", thanë mjekët. Sipas tyre, kërkesat e tyre normale duhet të merren parasysh nga drejtuesit në politikë. Një listë me të gjitha sugjerimet e tyre për sa i takon statusit të veçantë të punonjësit të QSUT-së, mbrojtja me ligj, paga më të larta e përfitime më të mëdha në moshën e pensionit, do t‘i dërgohen Kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit Bamir Topi.

Por jo vetëm kaq. Në këtë letër, mjekët do të referojnë edhe të gjitha problemet e tyre të ardhura nga keqmenaxhimi, të gjitha diskutimet që ata kanë çdo ditë me pacientët si pasojë e mungesave në spital. Viti 2008, ka hyrë ters për QSUT-në. Një listë e gjatë tenderash nuk janë kryer, ndërsa spitali nuk kryen as funksionet bazë të tij. Analizat e gjakut, analizat më të thjeshta që mund të kryejë një laborator nuk bëhen, sepse mungojnë reagjentët. Madje, as pacientët që duhet të ndiqen me përparësi, që janë gati për operacione apo të cilët i kanë të domosdoshme rezultatet e analizave në kohë, i kryejnë ato te privatët. Analiza që nuk kryhen, pajisje të cilat nuk funksionojnë, mjekë në protestë të vazhdueshme, diskutime të cilat hidhen dhe priten. Pacientëve në këto kushte nuk u mbetet asgjë tjetër veçse t‘u drejtohen privatëve, ose të rrinë në pritje të stabilizimit të gjendjes. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka reaguar duke thënë se reformat në shëndetësi janë duke u kryer me sukses.

Për sa u takon grupimeve të mjekëve, që e kanë bërë monopol shërbimin ku punojnë, mund t‘i kryenin reformat që duan në kohën kur ishin vetë në krye të shëndetësisë.

Sakaq, protestat do të vazhdojnë edhe javën e ardhshme. Letra e kërkesave do të dorëzohet në postën e Kryeministrisë dhe atë të Presidencës. Derisa të ketë një reagim prej tyre, sipas mjekëve pritet që në raste "heshtje" në këto tubime të bashkohen edhe studentët, mjekët e ardhshëm.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›