E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHQIPJA STANDARDE, A DUHET RISHIKUAR?

Sot mbushen plot 40 vjet nga mbajt
ja e Konsultës Gjuhësore të Prish
tinës (22 prill 1968-22 prill 2008),
një ngjarje e shënuar në tri rrafshe;
në rrafshin kulturor, shkencor e kombëtar.
Ky është mendimi vlerësues pozitiv që
mbizotëron gati unanimisht në botën e
përparuar kulturore, shkencore e atdhetare
shqiptare, por jo vetëm shqiptare,
edhe të huaj. Kam pasur rastin ta radhis
këtë midis 12 ngjarjeve e institucioneve
kulturore, arsimore a shkencore më të
rëndësishme kombëtare shqiptare gjatë
më shumë se një shekulli, pikërisht sipas
kësaj radhe kalendarike: Shoqëria e Stambollit
(1879), Kongresi i Manastirit (1908),
Kongresi i Elbasanit (1909), Shkolla Normale
e Elbasanit(1909), Komisia Letrare e
Shkodrës (1916-1918), Kongresi i Lushnjës
(1920), Kongresi Arsimor i Lushnjës
(1920), Kongresi Arsimor i Tiranës (1922),
Kuvendi i Parë i Studimeve Albanalogjike
(Tiranë, 1940), Instituti i Studimeve Shqiptare
(Tiranë, 1940), Konsulta Gjuhësore
e Prishtinës (Prishtinë, 1968), Kongresi
i Drejtshkrimit (Tiranë, 1972), duke
theksuar se në to "janë trajtuar çështje
politike, organizative, kulturore, arsimore,
gjuhësore; disa prej tyre kanë pasur në
qendër të vëmendjes vetëm ose kryesisht
çështje gjuhësore dhe mund të konsiderohen
si shkencore, si Kongresi i Manastirit,
Komisia Letrare e Shkodrës, Konsulta e
Prishtinës, Kongresi i Drejtshkrimit".
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, pa asnjë
dyshim, kreu një veprimtari shkencore
të mirëfilltë, çka vërtetohet me synimet,
objektivat, tematikën e lëndës së diskutuar,
organizimin, pjesëmarrjen, diskutimet,
përfundimet historike dhe jehonën
kombëtare që pati. Ndryshe nga disa
vende të mëdha, gjuha nga shqiptarët
gjatë shekujve, sidomos gjatë Rilindjes
Kombëtare deri në ditët tona, është parë
dhe vazhdon të shihet, tashmë si shqipe
standarde, me një sy të veçantë. Për popullin
shqiptar, siç dihet, gjuha shqipe ka
përbërë faktorin themelor të identifikimit,
të mbrojtjes e të zhvillimit, faktorin
themelor të ngjizjes dhe të bashkimit tonë
si komb. Kjo ka ndodhur dhe ndodh se
Shqipëria e shqiptarët kanë mbijetuar në
rrethana historike tepër të vështira e të
rrezikshme, se gjuha shqipe është e shqiptarëve
dhe vetëm e tyre e jo e ndonjë
bashkësie etnike tjetër, se gjuha shqipe
është aq e vjetër sa edhe bashkësia e tyre,
se shqipja është e ndryshme nga gjuhët e
tjera, se shqipja është tipari më themelor
dallues në shekuj i identitetit të shqiptarëve,
se ne jemi një popull relativisht
i vogël dhe kemi ende probleme të karakterit
kombëtar të pazgjidhura dhe se shqipja
standarde është relativisht e re. Këto
janë disa nga arsyet pse ne shqiptarët e
kemi pasur në qendër të vëmendjes gjuhën
dhe kohët e fundit gjuhën standarde.
Madje shqipja jo vetëm që ka pasur, ka,
por shqipja standarde do të ketë edhe më
shumë rol identifikues të kombit tonë në
të ardhmen në gjirin e Bashkimit Evropian.
Konsulta Gjuhësore e Prishtinës
shënon momentin kulmor dhe zgjidhjen
ideale të përpjekjeve që janë bërë në Kosovë,
në Maqedoni e në Malin e Zi për njësimin
e shkrimit e të gjuhës letrare shqipe.
Vendimet e saj historike janë në vazhdën
dhe në përputhje të plotë me strategjinë
kombëtare në fushë të gjuhës dhe përbëjnë
një hallkë të domosdoshme të kësaj
strategjie: në raport me Kongresin e Manastirit
ajo shënon, pas njësimit të alfabetit
në këtë kongres, atë të njësimit të
shkrimit, duke shkuar me një orientim të
qartë shkencor po në atë rrugë që ish projektuar
nga ai Kongres i cili miratoi një alfabet
prej 36 shkronjash që u përgjigjen
36 fonemave zanore dhe bashkëtingëllore,
duke hequr dorë nga disa veçori
themelore fonetike të gegërishtes, siç ishin
hundorësia dhe gjatësia e zanoreve, çka
mund të realizohej më së miri në Projektin
e Rregullave të Drejtshkrimit (Tiranë,
1967) dhe deri diku edhe në Ortografinë e
Prishtinës (1964); në raport me Komisinë
Letrare të Shkodrës Konsulta Gjuhësore e
Prishtinës vazhdoi frymën e asaj Komisie
për afrimin e dy varianteve letrare dhe
"për një ortografi sa më të përbashkët për
të dy dialektet", duke miratuar Rregullat
e drejtshkrimit të botuara në Tiranë
(1967); në raport me Kongresin e Drejtshkrimit
(Tiranë, 1972) Konsulta e Prishtinës,
pesë vjet përpara këtij Kongresi, "i
dha realisht përmasa kombëtare gjuhës
letrare të njësuar", përmasa këto që në të
vërtetë asaj i ishin dhënë që në Kongresin
e Manastirit; (shih edhe S.Mansaku,
"Identiteti gjuhësor i shqiptarëve dhe
gjuha standarde", në Të drejtat e njeriut
1(41) 2005); gjithashtu Konsulta e Prishtinës
ishte një parapërgatitje dhe një
mbështetje e suksesit të Kongresit të
Drejtshkrimit që do të mbahej në Tiranë
pas pesë vjetësh. Pa vendimin historik të
Konsultës së Prishtinës, ndoshta edhe sot
nuk do të kishim një shkrim dhe një shqipe
letrare të njësuar për të gjitha hapësirat
shqiptare.
Intelektualët, shkencëtarët dhe politikanët
kosovarë dyzet vjet më parë me qëndrimin
e tyre konvergjent, me zgjidhjen
shkencore të problemit, me vizionin kombëtarist
e atdhetar, me dëshirën e tyre e
pa asnjë dirigjim nga jashtë, e zgjidhën me
sukses të plotë njëherë e përgjithmonë
problemin e vështirë të njësimit të gjuhës.
Kjo tashmë është diçka që i përket së kaluarës.
Meritë për këtë kanë të gjithë kosovarët
(këtu kam parasysh të gjithë shqiptarët
në trevat e tyre në ish Jugosllavi),
përfshirë rininë kosovare, intelektualët
kosovarë në përgjithësi dhe 150 intelektualët
pjesëmarrës në Konsultë, dhe sidomos
institucionet shkencore dhe veprimtarët
organizues të Konsultës, siç ishin
Instituti Albanalogjik i Prishtinës, Katedra
e gjuhës dhe e letërsisë shqipe e Fakultetit
filozofik të Prishtinës, hartuesit e dokumentacionit
të Konsultës (të Referatit, të
Konkluzave etj.), shkencëtarë e drejtues
të institucioneve shkencore ndër të cilët
po përmendim figurat e mirënjohura I.
Ajeti, F. Agani, B.Bokshi etj., por edhe drejtues
shtetërorë krahinorë të Krahinës së
Kosovës. Konsulta, e organizuar vullnetarisht,
ishte përgatitur më së miri: referati i
I.Ajetit i mbështetur në argumente të
shëndosha, i shkruar me një qartësi të
theksuar sikur të ishte shkruar në ditët
tona, me teza të sakta dhe me një qëndrim
kombëtarist e të guximshëm, tubimi
mjaft i gjerë, ku morën pjesë përfaqësues
nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi,
Beogradi dhe vise të tjera të Jugosllavisë,
objekti i përcaktuar dhe shumë i qartë i
diskutimit, përgatitja e shpërndarja me
kohë e materialeve, diskutimi i lirë i mendimeve,
diskutimi njëherazi i dy çështjeve,
i ortografisë dhe i gjuhës letrare si
çështje të pandashme, qëndrimi i njëjtë
rreth problemeve kyçe, mbështetja në
traditën dhe aktualitetin e dukurive zhvillimore
të gjuhës, të gjitha këto dëshmojnë
për vështrimin serioz dhe shkencor
të problematikës. Në fund të punimeve
Konsulta miratoi disa konkluzione
objektive dhe shkencore, ku spikat përfundimi
se Konsulta "njohu njëzëri si gjuhë
të vetën letrare gjuhën letrare të vendit
ëmë"; ajo vendosi që të zbatohet Projekti
i ortografisë porsa të aprovohet e të
marrë formën zyrtare në Shqipëri, duke
e sugjeruar atë (projektin) si bazë të shëndoshë
për t‘u zbatuar menjëherë; autorizoi
Institutin e Katedrën që t‘u rekomandojnë
institucioneve arsimore e pedagogjike,
gazetare dhe botuese shkencore
e kulturore që të krijojnë mundësitë e
zbatimit "sa më të shpejtë të Konkluzave
të Konsultës". Konsulta njësimin e shqipes
letrare e vlerësoi si "rezultat të proceseve
progresive të shoqërisë shqiptare,
veçanërisht nga Rilindja e këtej",
vlerësoi diskutimet e mëparshme në
Prishtinë për çështjet e gjuhës e të ortografisë
shqipe në stabilizimin e shqipes
letrare; qëndrimi miratues i "gjuhës
letrare të vendit ëmë" si gjuhë të Kosovës
u mbështet, ndër të tjera, me argumentin
plotësisht të saktë se toskërishtja
letrare mbi të cilën mbështetet shqipja
standarde nuk ndryshon shumë nga
gegërishtja letrare. Konsulta e la të hapur
dhe të dobishëm diskutimin për disa pika
të Projektit, por kjo nuk do të pengonte
zbatimin e "drejtshkrimit në fuqi". Siç shihet,
nuk mund të formuloheshin më mirë
Konkluzat e Konsultës së Prishtinës, asgjë
nuk mungon, asgjë nuk mund të shtohet
aty. Bie në sy karakteri gjithëpërfshirës
e shkencor i tyre. Jetësimi i tyre në
praktikë do të sjellë shumë shpejt njësimin
e zhvillimin e gjuhës, zhvillimin e
arsimit e të kulturës, forcimin e unitetit
kombëtar shqiptar. Vendimet e Konsultës
Gjuhësore të Prishtinës nuk duhen
keqinterpretuar e deformuar. Kështu,
qëndrimi konvergjent për gjuhën që fillimet
e veta i ka që nga Rilindja, është një
qëndrim i drejtë, zgjidhja që iu dha njësimit
të shkrimit dhe të gjuhës letrare në
Kosovë është i drejtë jo vetëm në rrethanat
politike specifike të Kosovës, por
edhe shkencërisht.
Më 1973, gati pas pesë vjetësh të zbatimit të Projektit të Drejtshkrimit në Kosovë
dhe në Maqedoni, i dërguar me shërbim
nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë
në Tiranë (një muaj në Prishtinë dhe
një muaj në Shkup) për të parë zbatimin
e vendimeve të Konsultës së Prishtinës,
vura re zbatimin e shqipes letrare të njësuar
në të gjitha sferat e jetës, natyrisht,
duke u shoqëruar si çdo dukuri në fillimet
e saj me kufizimet, vështirësitë e
problematikën e saj, dhe përjetova entuziazmin
e madh qytetar dhe intelektual
në këtë aksion masiv. Dua të përsëris
mendimin tim, se kosovarët kanë arritur
suksese, përfshirë rezultatet në fushën
e shkencave albanalogjike, për dy arsye
kryesore, si rezultat i punës së madhe e
vetëmohuese kombëtariste, individuale
dhe institucionale, dhe si rezultat i mosshkëputjes
në asnjë rrethanë dhe në asnjë
kohë, për asnjë çështje themelore nga pjesa
tjetër e Kombit.
Të ndalemi tani te shqipja standarde,
që zyrtarisht është bërë tashmë dyzetvjeçare.
Shqipja standarde gjatë një kohe
të shkurtër po zotërohet shumë lehtë dhe
po përdoret me sukses, ajo është bërë më
e qëndrueshme dhe po gëzon një shtrirje
hapësinore gjithnjë e më të madhe. Shtrirja
funksionale e saj është zgjeruar, duke
u përdorur në të gjitha fushat e jetës,
domethënë në administratë, në shkollë,
në median e shkruar dhe elektronike, në
letërsinë artistike, origjinale e të përkthyer,
në skenë dhe në komunikimin jetësor
të përditshëm.
Kodifikimi i saj është arritur në sistemet
e ndryshme të rrafshit shkrimor. Punë e
mirë është bërë edhe për pasurimin e saj
dhe diçka për pastrimin e saj. Lëvrimi letrar
i saj ka pësuar një bum të vërtetë: janë
shtuar shumë veprat letrare, artistike,
publicistike, shkencore, biografike, janë
shtuar përkthimet nga gjuhët e huaja të
të gjitha fushave, letrare, historike,
ekonomike, shkencore etj., është zgjeruar
në përmasa të paparashikuara media e
shkruar dhe elektronike me një shifër të
përafërt prej dyqind e sa gazeta, revista
radio, televizione etj., janë shtuar shkollat
e niveleve e profileve të ndryshme e
bashkë me to dhe botimet tekstologjike
nga më të ndryshmet, nga origjinalet te
përkthimet, janë shtuar dhe pasuruar organizmat
drejtuese shtetërore, ministrore,
të brendshme, qendrore e lokale e
ndërkombëtare; janë shtuar kontaktet
me botën e jashtme, shtetërore dhe private.
Koha e kaluar dyzetvjeçare ka vërtetuar
se shqipja standarde, e projektuar dhe
e miratuar në dy qendrat e mëdha albanalogjike,
në Tiranë e në Prishtinë, ka
qenë e suksesshme. Ajo u ka shërbyer të
gjithëve: edhe nëpunësve, zyrtarëve, shtetarëve,
politikanëve, nxënësve, studentëve,
mësuesve, edhe shkrimtarëve,
përkthyesve, artistëve, analistëve, komentatorëve,
redaktorëve, korrektorëve,
qytetarëve, fermerëve dhe intelektualëve
të tjerë në shumë sfera të tjera të jetës së
përditshme. Gjatë këtyre viteve nuk është
shprehur ndonjë shqetësim serioz nga
përdoruesit e shqipes standarde për
pengesa serioze në komunikim a përkthim
etj.; këtu është fjala për pengesa të tilla ku
një përkthyes do ta kishte të pamundur
të përkthejë një vepër letrare, shkencore
a mësimore nga një gjuhë e huaj në shqipen
standarde etj.
Dëshiroj të ndalem edhe në dy tri probleme
që kanë lidhje me shqipen standarde
sot dhe në të ardhmen:
Problemi i vështirësive në
përvetësimin e standardit
Çdo shqipfolës nuk lind me standard,
ai e zotëron atë. Standardi mësohet në
radhë të parë në shkollë; kjo ndodh në çdo
vend. Të gjithë shqipfolësit kanë nevojë
ta përvetësojnë standardin: jugorët më lehtë,
veriorët në Shqipëri, në Kosovë e gjetiu,
më me vështirësi. Por këto vështirësi
në rastin e shqipes janë më të vogla se në
shumë vende të tjera të Europës; vështirësitë
natyrisht janë të përkohshme dhe
jo të pakapërcyeshme. Vështirësitë nuk
janë si pasojë e mungesave dhe e defekteve
të standardit. Vështirësitë kapërcehen
më lehtë me një përkujdesje më të
madhe për gjuhën, institucional-shtetëror
e individual-familjar dhe në të
gjitha fushat e jetës, me përmirësimin e
punës në shkollë, me ngritjen e nivelit arsimor,
kulturor të përgjithshëm, kombëtar,
familjar e personal, me shtimin e kontakteve
e komunikimeve ndërshtetërore,
krahinore, institucionale, të drejtpërdrejta
a nëpërmjet mediave, si dhe me zbatim
tekstesh mësimore të njëjta për të gjitha
disiplinat në të gjitha hallkat e arsimit elementar.
Gjendja jo shumë e kënaqshme
në zotërimin e standardit në hapësirat
gegfolëse kosovare, maqedonase e malazese
shpjegohet edhe me rrethanat e tjera
të deritanishme politike të Kosovës e më
gjerë, sidomos me arsimimin shqip të cunguar
e jo normal. Në një formë më të zbutur
e në rrethana të tjera problemi shfaqet
edhe në shumë hapësira shqiptare.
Problemi i ndryshimit dhe i
përsosjes së kodit
drejtshkrimor
Mendoj se nga koha në kohë edhe shqipja
standarde duhet rishikuar. Nevojën
për rishikimin e standardit e kam shprehur
më shumë se dhjetë vjet më parë. Kjo
mbështetet jo vetëm me përvojën e huaj,
por edhe me disa dukuri të vëna re në
standardin tonë. Diçka duhet ndryshuar,
duhet modifikuar, pikërisht ato gjëra që i
ka nxjerrë (evidentuar) praktika e përditshme.
Po përsëris disa shembuj që i kam
dhënë gjithashtu disa vjet më parë: nj-ja
fundore në emrat e mbiemrat e tipit ullinj,
të mëdhenj të kalojë në j; ë-ja fundore
në emrat e tipit djalë, lumë të reduktohet,
të shihet mundësia e shkrimit bashkë e
disa fjalëve, lidhëzave, parafjalëve e
shprehjeve ndajfoljore etj; të thjeshtohen
rregullat e përdorimit të shkronjës së madhe,
të mënjanohen disa përjashtime (si
punonjës), të shkruhen në një mënyrë
tjetër disa fjalë të veçanta që i ka
parapëlqyer praktika (si Europë, Europian
etj., në vend të Evropë, evropjan; ish
kryeministër në vend të ish-kryeministër),
të rishihet drejtshkrimi i emrave të
përveçëm, të redaktohet me kujdes materiali
ilustrues e terminologjik i drejtshkrimit
etj. Shumë nga këto dukuri janë
diskutuar edhe nga të tjerë, duke përmendur
këtu E.Çabejn (1973) dhe gjuhëtarë
të tjerë. Për mendimin tim, ka
ardhur koha edhe për disa ndryshime të
tjera, siç janë kalimi i dysorit mat/mas në
të mirë të variantit mas; kalimi në normë
të variantit Koçua në vend të variantit normativ
ekzistues Koçoja; etj. Ndryshimet
janë të nevojshme, vetëm kështu kodet
pasqyrojnë realitetet zhvillimore të gjuhës
e nuk largohen nga gjuha e gjallë, standardi
nuk vjetrohet. Këto ndryshime nuk
cënojnë bazën e drejtshkrimit të shqipes.
Pas këtyre ndryshimeve, lexuesi shqiptar
të fusë më dorë botimin e dytë të përmirësuar
të Drejtshkrimit të shqipes standarde
aq shumë i mirëpritur.
Por ka pasur dhe ka autorë që kërkojnë
ndryshime të një karakteri tjetër, më të
thella, ndryshime të cilat bien ndesh me
sistemin themelor të standardit ose me
gjendjen reale të praktikës gjuhësore.
Kështu shpesh kërkohet një reduktim më
i shtrirë i zanores së patheksuar ë në pozicione
të ndryshme të fjalës, herë në përputhje
me shqiptimin verior të fjalës, ose,
në rastin më të mirë, edhe me shqiptimin
më të përgjithshëm. Shqiptime të tilla janë
ende të paqëndrueshme dhe dukuria ka
mbetur në fjalë të veçanta dhe nuk është
përgjithësuar në formacione kategoriale,
duke u kundërshtuar nga raste të tjera të
veçanta; kjo do të ngushtonte disa rregulla
dhe do të shtonte përjashtimet, ose do
t‘i kalonte disa përjashtime në nënrregulla;
propozimet për reduktimin e ë-së në
raste e pozicione të caktuara të afron me
shqiptimin verior a me shqiptimin më të
përgjithshëm, por krijon shqetësime të
karakterit sistemor. Prandaj rregullat për
shkrimin e ë-së të mbeten në përgjithësi
ashtu siç janë (përveç rastit të sipërpërmendur
e ndonjë rasti tjetër).
Me insistim kërkohet edhe integrimi i
paskajores gege në standard. Mendimin
tim për këtë çështje e kam dhënë në një
rast tjetër. Mirë do të ishte që standardi të
kishte një paskajore të mirëfilltë, por integrimi
i paskajores gege në standard është
i vështirë të realizohet, sepse vendi i saj
është i zënë në sistemin ekzistues të standardit,
dhe cënon vetë bazën mbi të cilën
mbështetet standardi; është thënë e
stërthënë që nga Rilindja e këndej se
paskajorja e gegërishtes është një element
dallues themelor midis dy dialekteve
të shqipes, pra, midis dy varianteve
letrare, gegërishtes e toskërishtes. Paskajoren
analitike gege nuk e ka bërë të sajën
toskërishtja në shekuj, po ashtu as toskërishtja
letrare, me gjithë përpjekjet sporadike
të atykëtushme. Po ta ndiente të
nevojshme, paskajoren gege a një tjetër
paskajore do ta kishte përdorur Naimi,
Samiu, Noli dhe pas Luftës Kadareja që
është plotësisht i hapur ndaj pasurive gjuhësore
pavarësisht nga prejardhja. Integrimi
i paskajores gege në standard do të
ndreqte diçka, por do të prishte shumë
punë. Ky integrim i arritur nëpërmjet ndërhyrjeve
të gjuhëtarëve në gjuhë nga jashtë
do të tingëllonte jo i natyrshëm, artificial
e të kujton amalgamat e ideuara për
gjuhën tonë nga disa gjuhëtarë
(S.Shuteriqi, S.Riza, N.Resuli etj.), por që
kanë dështuar. Për disa vlera të karakterit
stilistikor dhe mësimor nuk ia vlen të merremi
tani për tani me paskajoren, që
mund të sjellin pështjellime të shumta në
një kohë që standardi dhe gjuha shqipe
në përgjithësi ka shumë mjete të tjera
funksionale në vend të saj. Le të presim
që ndërtimi i mbarë shqipes për + gerund
të kalojë në paskajore pas një gramatikalizimi
maksimal, proces që ai tashmë e ka
nisur. Kjo do të ishte zgjidhja më e natyrshme
e problemit, pavarësisht nga koha
që kërkon.
Si përfundim, ndryshimet në standard
janë të nevojshme e të përhershme, por
nuk duhet të cënojnë karakterin sistemor
të standardit. Ndryshimet duhen bërë sa
herë që ato i sugjeron vetë gjuha, sa herë
që mjetet e pasuritë gjuhësore e kanë nisur
jetën e funksionimit në gjuhë nëpërmjet
bartësve komunikues të saj, sidomos
të iniciuara nga penda e lëvruesve letrarë
me emër. Ndaj gjuhës standarde nuk duhet
të sillemi të skajshëm, as si konservatorë,
duke mos pranuar ndryshime në të,
as të kërkojmë ndërhyrje të pambështetura,
të panatyrshme të përshpejtuara
e të parakohshme, duke u nisur herë-herë
nga premisa e interesa jashtëgjuhësore.
Me interes të veçantë do të ishte edhe
diskutimi për disa probleme të tjera, siç
janë: problemi i shtrirjes funksionale të
shqipes standarde, problemi i lirisë së përdorimit
të gegërishtes letrare pranë standardit,
problemi i bazës dialektore të standardit,
problemi i hartimit të kodit drejtshqiptimor
të standardit, problemi i
zotërimit të shqipes standarde në të gjitha
hapësirat shqiptare në rrethanat e reja
politike e pikërisht pas ndryshimeve
demokratike në Shqipëri, pas shpalljes së
Kosovës shtet i pavarur dhe pas shkëputjes
së Malit të Zi nga ish Jugosllavia
dhe pas ndryshimeve të pritshme për gjuhën
në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit
në Maqedoni; së fundi, problemi i shtrirjes
së standardit në diasporë dhe zotërimi i
shqipes standarde nga emigrantët shqiptarë
të shpërndarë nëpër botë gjatë
dhjetëvjeçarëve të fundit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›