E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët dalin hapur: I bëjmë vetë reformat

Ditë pas dite mjekët po dalin hapur kundër Ministrisë së Shëndetësisë, e cila është përgjegjësja kryesore për reformimin e sistemit.

ZIRINA LLAMBRO

 Madje, bluzat e bardha në mungesë të reagimeve, kanë marrë përsipër t’i bëjnë gjërat sipas mënyrës së tyre. Të hënën puna do të bojkotohet sërish për një orë me qëllim sensibilizimin e aktorëve. Dje, këshilli i profesorëve të Fakultetit të Mjekësisë, me anë të një deklarate ka bërë publike situatën e rëndë, që na shfaqet sa herë na çon halli të trokasim në dyert e spitalit. Por për herë të parë kanë qenë 64 profesorë, të cilët kanë dhënë alarmin për batakun e thellë ku ka rënë shëndetësia sot. Ata gjithashtu kanë pohuar se, brenda javës që vjen do të mblidhet grupi i punës, i cili do të hartojë një draft të posaçëm për reformat që duhet të ndërmerren. “Reformat duhet t’i hartojnë njerëz të ditur, duhet të konsultohen nga komuniteti universitar. Në të kundërt ato nuk do të sjellin asnjë ndryshim. Eshtë kjo arsyeja pse kemi vendosur që të hartojmë një draft të posaçëm. Do të jetë elita e profesorëve dhe e profesionistëve që do ta bëjë këtë draft”, u shpreh në hapje të konferencës, dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Alfred Priftnjari. Në emër të kolegëve ai pohoi se, ky draft do t’i niset Kryeministrit dhe presidentit. Çuditërisht nuk u përmend për asnjë çast Ministria e Shëndetësisë. Mesa duket mjekët nuk e shohin si palë në projektin e tyre për të ndryshuar gjërat.
“Ne vuajmë mungesën e reformave, sepse asnjë qeveri, pavarësisht ngjyrës e programit nuk ka mundur të bëjë asnjë reformë të thellë të sistemit shëndetësor”, thuhet në deklaratën e bluzave të bardha. Sipas tyre, skema e Sigurimeve Shëndetësore është thuajse jofunksionale. Vetëm 30% e popullatës paguan shuma fare të vogla, për sigurimin, ndërkohë në vendet e tjera të Evropës e në rajon ka më shumë se 150 vjet që është vënë në praktikë më së miri. “Kemi më shumë makina të siguruara, sesa njerëz dhe kjo nuk është aspak normale, e pasojat i vuan e gjithë shoqëria”, nënvizojnë mjekët. Një tjetër problem madhor është nënfinancimi i shëndetësisë. “Shteti e shoqëria shqiptare vë në dispozicion të shëndetit të shtetasve të saj vetëm 80 euro në vit. Ndërkohë që në vendet e Evropës, shifrat variojnë nga 2000-4000 euro në vit, ndërsa rajoni disa herë më shumë se ne. Ja pra, pse shëndetësia është në këtë situatë. Të gjithë kërkojmë jetën, por siç e thotë populli “me hime misri nuk bëhet simite””, theksohet në deklaratë. Gjithashtu, është pranuar hapur mungesa e ilaçeve dhe e analizave në spitalin më të madh të vendit. Mjekët i kanë kërkuar ndjesë pacientëve për rastet kur i drejtojnë në klinikat private, si për rrjedhojë të këtyre mungesave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›