E Shtunë, 31 Tetor 2026

Varfëria, dy kryefamiljarë vetëflijohen

Kushtet e vështira ekonomike dhe depresioni kanë çuar në vetëvrasje dy persona dje në rrethin e Lushnjës.

LUSHNJE/ MAJLINDA RAMA

Një 60-vjeçare i dha fund jetës pak ditë pasi e bija 20-vjeçare u vetëvar. Ndërsa një 51-vjeçar, u vetëflijua pak minuta pasi nuk kishte para për t’i dhënë vajzës të shkonte në ekskursion me shkollën. Burime policore bënë të ditur se, dy viktimat janë Esma Patozi, 60 vjeçe banore e fshatit Çermë dhe Nasi Kola, 51 vjeç, banues në fshatin Gorre. Mësohet se Esma Patozi pasi ka konsumuar një sasi të konsiderueshme lënde helmuese ka kërkuar ndihmë tek të afërmit e saj. Familjarët kanë mbërritur menjëherë në dhomën, ku kanë gjetur të moshuarën në një gjendje mjaft të rëndë. Menjëherë e kanë nisur për në spitalin e Lushnjës, ku ajo është vënë nën kujdesin e mjekëve. Por shkalla e lartë e intoksikimit në trupin e saj ka bërë që ajo të mos i mbijetojë vdekjes. Sipas policisë, vetëhelmimi i 60-vjeçares ka ardhur nga depresioni e kushtet e vështira ekonomike të familjes. Bëhet e ditur se, e moshuara ishte personi i dytë që vetëvritej brenda familjes në harkun kohor të pak ditëve. Më 4 prill, vajza 20-vjeçare e Esma Patozit i kishte dhënë fund jetës, duke u vetëvarur, ngjarje e dyshuar për hir të varfërisë.
Vetëm pak minuta pas vdekjes së 60-vjeçares, një tjetër banor i Lushnjës u vetëhelmua me fostoksinë. Nasi Kola gjeti vdekjen, pasi piu helmin pas një gjendjeje të rënduar mendore për shkak të vështirësive ekonomike. Kola prej disa ditësh vuante nga depresioni, çka e bënte të ishte tepër nervoz dhe shpeshherë agresiv me veten dhe personat që e rrethonin. Gjithashtu bëhet e ditur se, 51-vjeçari ishte konsumues i rregullt i pijeve alkoolike, duke shtuar edhe më shumë varfërinë në familjen e tij. Për Kolën, babanë e pesë fëmijëve, i vetmi burim jetese ishin të ardhurat nga një pjesë e vogël toke që mbillte me grurë dhe drithëra, të cilat nuk i sillnin shumë fitime. Ditën e djeshme, pas sherrit të zakonshëm për paratë e pakta të ndodhura në shtëpi, Kola, tepër i demoralizuar ka siguruar 6 kokrra fostoksinë në tregjet e improvizuara të qytetit të Lushnjës, të cilat i ka ruajtur për disa ditë në dhomën ku flinte. Sipas banorëve që jetonin pranë Kolës, njëra nga vajzat e tij i ka kërkuar të atit një shumë prej 500 lekësh për të shkuar në një ekskursion të organizuar nga shkolla, shumë të cilën ai nuk mund t’ia siguronte. Familjarë kanë pohuar se, ky ishte kontakti i fundit me të bijën dhe gjithë pjesëtarët e familjes. Pas kësaj ai është gjetur i pajetë mbrapa shtëpisë së tij. Po nga të afërmit e Kolës mësohet se kryefamiljari ishte zhytur në borxhe të mëdha dhe lista e ushqimeve në dyqanet e fshatit kapte shifra që nuk mund të shlyheshin kurrë, duke pasur parasysh të ardhurat e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›