E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mjekët e ORL: Hoxhallari nuk ka operuar në kushte primitive

 

“Nuk është e vërtetë, që mjeku Xhevahir Hoxhallari ka operuar ne mënyrë primitive 17-vjeçaren që humbi jetën. Veç kësaj, nuk është vërtetuar nga askush, se kemi të bëjmë më një gabim mjekësor”. Mjekët e ORL në spitalin “Nënë Tereza”, i janë rikthyer kështu mbrojtjes së kolegut të tyre pas disa akuzave të publikuara ndaj tij ditët e fundit. Në një konferencë për shtyp, ata pohuan se rastet e komplikacioneve nga bajamet njihen shkencërisht. “Vetëm në dy vitet e fundit në Gjermani ka pasur rreth 100 të tilla”, thanë mjekët. Sipas tyre, për shkak të mungesës së informacionit dhe kërkimit të skupeve është abuzuar me këtë fakt. Ndërkohë, vetë mjeku Xhevahir Hoxhallari pranoi se vazhdon punën në spital, por nuk ka kryer asnjë operacion, që prej datës 28 prill kur humbi jetën Matilda Petriti, pas një operacioni në bajame. “Më është shkatërruar karriera në një kohë, që asnjë akuzë nuk është vërtetuar për fajësinë time në lidhje me vdekjen e vajzës”, tha Hoxhallari. Ndërkaq, kolegët e tij pohuan se për mungesën e aparaturave dhe pajisjeve të ndihmës së shpejtë në spitalet publike nuk e kanë fajin mjekët. Sa i përket klinikës private të Hoxhallarit ata pohuan se ajo ka qenë e kontrolluar nga Ministria e Shëndetësisë dhe plotësonte të gjitha standardet. “Kemi disa vjet që i kemi bërë kërkesë drejtorisë së spitalit, të pajisë me  aspiratore e respiratorë reanimacionin e urgjencën, por nuk është bërë asgjë. Përgjigjja e gjithhershme që kemi marrë është se ORL nuk ka shërbim urgjence. Por në fakt ne bëjmë roje, presim raste urgjente. Marrim respiratorë me vrap nga sallat e operacioneve dhe i sjellim në urgjencë. Për këtë faji nuk është i yni”, thonë  mjekët e ORL-së. Sipas tyre, që kur është bërë spitali është ngritur ky problem.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›