Mjekët e familjes, në Tiranë të “rekrutohen” 50% më shumë
zirina llambro
Më pak mjekë familje se nevojat në Tiranë dhe në rrethe. Specialistët e shëndetësisë pohojnë se vetëm për kryeqytetin kërkohen 50 % më tepër mjekë familjeje sesa janë aktualisht. Shtimi i popullsisë në metropol e ka bërë të domosdoshëm shtimin e qendrave të reja shëndetësore. “Aktualisht nuk ka hapësira të lira për të ndërtuar qendra shëndetësore, ndaj është e vështirë që të ulet numri i lartë i pacientëve në qendra shëndetësore, por edhe në spital. Për Tiranën mund të ketë 50 për qind më shumë mjekë familje sesa tani”, u shpreh dje gjatë konferencës së shtatë për Mjekësinë Familjare në Shqipëri, drejtori i Shëndeti Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në këtë aktivitet, theksoi se privatizimi nuk do të jetë e ardhmja e sistemit shëndetësor parësor. Sipas tij, mjekët e familjes do të vijojnë të kenë për një kohë të gjatë mbështetjen e plotë të shtetit. “Eshtë vendi për të qenë shumë të qartë dhe për të ardhmen e këtij sistemi. Sistemi parësor në përgjithësi, mjeku i familjes, do të vazhdojë të ketë për një kohë të gjatë mbështetjen e plotë dhe të pakushtëzuar të shtetit. Kështu ne përsërisim modelet perëndimore, atë që ndodh në Italinë e afërt apo gjetkë, ku ky sistem mbështetet nga shteti”, tha Vasili. Ai shtoi se ide konfuze dhe e paqartë, lidhur me privatizime të gjëra të sistemit parësor, nuk kanë të bëjnë me Shqipërinë”. Përgjigjja e përditshme që ju jepni me punën tuaj është logjika me të cilën duhet të ecë ky sistem”, tha Ministri i Shëndetësisë. Sipas tij, mjeku i familjes është si themeli i sistemit shëndetësor. “Në raste kur kemi luhatje negative të këtij themeli, ndjeshmëritë negative përcillen te qytetari. Jemi në këtë aktivitet për të diskutuar mbi temat e mëdha që i takojnë sistemit parësor, duke ecur në atë rrugë të rimodelimit të shërbimit, që kthen theksin te mjeku i familjes. Sot kemi miratuar dhe funksionon një sistem referimi që në bazë të tij ka qytetarin dhe pacientin në një kontakt të ngushtë me mjekun e familjes”, tha Vasili.